Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, tha të shtunën se vendet islamike duhet ta themelojnë një aleancë kundër asaj që ai e cilësoi si “kërcënim në rritje” nga Izraeli për “të okupuar territore”.
Erdogan i bëri këto komente pasi forcat izraelite e qëlluan me armë për vdekje një grua amerikano-turke, e cila mori pjesë në një protestë kundër zgjerimit të vendbanimeve hebraike në Bregun e uzurpuar Perëndimor të premten.
“Hapi i vetëm që do ta ndalë arrogancën izraelite, banditizmin izraelit dhe terrorizmin shtetëror të Izraelit, është një aleancë e shteteve islamike”, tha Erdogani në një ngjarje të shoqatave të shkollave në Stamboll.
Ai tha se hapat që Turqia i ka marrë rishtazi për t’i përmirësuar marrëdhëniet me Egjiptin dhe Sirinë kanë për qëllim “krijimin e një linje solidariteti kundër kërcënimit në rritje të zgjerimit territorial”, i cili i kërcënon edhe Libanin dhe Sirinë.
Ministri i Jashtëm izraelit, Israel Katz, tha se deklarata e Erdoganit është “gënjeshtër e rrezikshme dhe nxitëse”.
Ai e akuzoi liderin turk se ka vite që punon me Iranin për t’i minuar regjimet e moderuara arabe në këtë rajon.
Erdogani e priti këtë javë në Ankara presidentin e Egjiptit, Abdel Fattah al-Sisi, me të cilin bisedoi për luftën në Gazë dhe për mënyrat se si t’i ndreqin marrëdhëniet e prishura për kohë të gjatë. Kjo ishte vizita e parë e një presidenti egjiptian në Turqi në 12 vjetët e fundit.
Në Korrik, Erdogani tha se Turqia do t’i dërgojë ftesë presidentit të Sirisë, Bashar al-Assad “në çfarëdo kohe” për bisedime të mundshme për t’i ndrequr marrëdhëniet mes dy vendeve. Marrëdhëniet mes tyre u prishën më 2011, pas shpërthimit të luftës civile në Siri.
Ndërkohë, ushtria izraelite tha të premten se është duke i shqyrtuar raportimet se një shtetase e huaj “u vra si pasojë e të shtënave në zonë”.
“Hollësitë e incidentit dhe rrethanat se si u qëllua ajo, janë duke u shqyrtuar”, tha ajo./REL