Prokuroria e Dibrës dhe Shërbimi i Kontrollit të Brendshëm pranë Ministrisë së Drejtësisë kanë kontrolluar gjatë ditës listat e të burgosurve të cilët ditën e kaluar (e dielë) kanë kërkuar të dalin në ajrim në Burgun e Burrelit.

Pas bllokimit të një droni brenda sektorit të ajrimit në burgun e Burrelit po kryhen hetime për të zbuluar personat e përfshirë.

Për këtë arsye është kontrolluar lista e të burgosurve për të konfirmuar se cilët janë të dënuarit e sigurisë së lartë qe të dielën kanë kërkuar dalje në ajrim, përpara se droni të kapej nga policia e burgjeve.

Ndërkohë prokurori i çështjes ka urdhëruar që droni të dërgohet pranë policisë shkencore në Tiranë ku dhe do të kryhet ekspertiza kompjuterike pasi dyshohet se droni është përdorur për të filmuar ambientet e burgut të sigurisë së lartë. Vepra për te cilën po hetohet është ajo e futjes së sendeve të ndaluara në burg.

Një ditë me parë drejtoria e përgjithshme e burgjeve njoftoi zbulimin e dronit duke shtuar tendencën e grupeve kriminale për të filmuar ambientet e burgjeve. Disa nga burgjet e sigurisë së lartë në Shqipëri janë me bllokues valësh për të parandaluar komunikimet e fshehta telefonike të të dënuarve dhe kjo masë ka ndikuar që grupet kriminale të mos i përdorin dronët për futjen e drogës në qeli.

Pas ngjarjes së Burrelit, drejtori i Përgjithshëm i Burgjeve Klevis Qose ka urdhëruar që çdo 20 minuta të kontrollohet edhe perimetri i jashtëm i burgjeve.