Shkencëtarët që hetojnë origjinën e pandemisë së koronavirusit mund të punojnë me mostra të gabuara, sepse disa mostra të hershme të virusit të paraqitura nga një studiues kinez u fshinë nga një bazë e të dhënave, thotë një ekspert në evolucionin e viruseve.
Jesse Bloom, një studiues në Qendrën e Kancerit Fred Hutchinson në Seattle, tha se ai gjeti sekuenca gjenetike të marra nga rastet e hershme të koronavirusit në Kinë që ishin fshirë nga një bazë e të dhënave e Instituteve Kombëtare të Shëndetit të SHBA.
Ekzaminimi tregon se disa nga rastet e hershme në qytetin kinez të Wuhan janë të ndryshme gjenetikisht, nga variantet që u përhapën dhe shkaktuan pandeminë.
Duke kontrolluar memorien e Google Cloud të arkivës, studiuesi Jesse Bloom zbuloi 13 sekuenca, që ndoshta mund të sqarojnë shumë gjera për origjinën e virusit, në veçanti për kapacitetin e SARS-Cov-2 për të gjeneruar variante.
Zbulimet Bloom u botuan në serverin shkencor bioRxiv, dhe nga aty u shpërndanë në komunitetin shkencor amerikan, duke gjetur një interes domethënës, të zmadhuar mediatikisht nga një reportazh i gazetës New York Times.
Edhe pse gjuha e përdorur nga Bloom dhe disa elementë shkencorë mund ta bëjnë të vështirë certifikimin dhe peer revieë të studimit në fjalë, në rastin më të mirë, nga të dhënat mbetet ndjesia e një tentative për të fshehur gjurmët e virusit, ose të paktën strukturën e tij të plotë. Se kush është arsyeja, kjo mbetet ende për t’u zbuluar.





