Furnizimi nga Irani me raketa balistike për Rusinë do paraqiste një “përshkallëzim dramatik” të përkrahjes së Teheranit për Moskën dhe Shtetet e Bashkuara janë gati të reagojnë me “pasoja dramatike”, tha të hënën Departamenti amerikan i Shtetit.

“Çdo transferim i raketave balistike iraniane në Rusi do të përfaqësonte një përshkallëzim dramatik në mbështetjen e Iranit për agresionin e Rusisë kundër Ukrainës”, u tha gazetarëve zëdhënësi i Departamentit të Shtetit, Vedant Patel.

Ministria e jashtme e Ukrainës tha të hënën se ka thirrur për një takim urgjent një diplomat të lartë iranian dhe për t’ia tërhequr vërejtjen mbi “pasojat katastrofike e të pariparueshme” në marrëdhëniet dypalëshe, nëse vërtetohen njoftimet se Teherani ka furnizuar me raketa balistike Rusinë.

Zyrtari i lartë iranian Shahriar Amouzegar, i hodhi poshtë njoftimet e së hënën në mëngjes, duke i cilësuar ato si “luftë psikologjike”. Por një zëdhënës i Bashkimit Evropian tha se informacionet ishin “të besueshme”.

Rrjeti televiziv CNN dhe gazeta ‘Wall Street Journal’ njoftuan javën e kaluar, duke cituar burime të paidentifikuara, se Irani kishte dërguar raketa balistike me rreze të shkurtër veprimi në Rusi, ndërkohë që Moska vazhdon luftën ndaj Ukrainës, të cilën e filloi në vitin 2022.

Ministria e Jashtme ukrainase njoftoi në platformën ‘Telegram’ se i kishte tërhequr vërejtje të ngarkuarit me punë të Iranit, Shahriar Amouzegar dhe se e paralajmëroi atë në “mënyrë të ashpër” për pasojat në marrëdhëniet e tyre nëse konfirmohet dërgimi i raketave.

Më herët, agjencia iraniane e lajmeve citoi komandantin e lartë të Gardës Revolucionare të Iranit, Fazlollah Nozari, duke thënë: “Asnjë raketë nuk është dërguar në Rusi dhe ky pretendim është një lloj lufte psikologjike.”

“Irani nuk përkrah asnjërën nga palët në konfliktin ndërmjet Ukrainës dhe Rusisë”, deklaroi zoti Nozari.

Në të kaluarën, zyrtarët perëndimorë dhe ukrainas kanë hedhur poshtë përgënjeshtrimet e tilla, duke thënë se ka prova të mjaftueshme që Irani ka furnizuar Rusinë me pajisje, siç janë dronët ‘Shahed’.

Përmes një përgjigje me shkrim, zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano tha: “Jemi në dijeni të informacionit të besueshëm që na është dhënë nga aleatët për dërgesën e raketave balistike iraniane në Rusi”.

Ai tha se nëse ky informacion konfirmohet, “dërgesa do të përbënte një përshkallëzim të rëndësishëm në aspektin material sa i përket përkrahjes së Iranit për luftën e jashtëligjshme të Rusisë kundër Ukrainës”.

Udhëheqësit e BE-së e kanë bërë të qartë në të kaluarën se do “të përgjigjen shpejt dhe në bashkërendim me partnerët ndërkombëtarë ndaj Iranit, përfshirë me masa të reja dhe kufizuese ndaj tij” për një hap të tillë, shtoi zëdhënësi Stano.

Një zyrtar tjetër evropian, që foli me kusht që të mos identifikohej, tha se Shtetet e Bashkuara ndanë informacionin mbi këtë dërgesë me aleatët dhe se ka gjasa që do ta bëjnë së shpejti publik këtë informacion.

“Përshkallëzim i rëndësishëm”

Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov tha se ka parë raportet mbi këtë zhvillim, po shtoi se jo të gjitha raportet e tilla janë të sakta.

“Irani është partner i rëndësishëm i yni, po zhvillojmë marrëdhëniet tona tregtare dhe ekonomike, po zhvillojmë bashkëpunimin dhe dialogun në të gjitha fushat e mundshme, përfshirë ato më të ndjeshmet”, zëdhënësi Peskov u tha gazetarëve.

Javën e kaluar Ukraina tha se thellimi i bashkëpunimit ushtarak ndërmjet Teheranit dhe Moskës paraqet kërcënim për Ukrainën, Evropën dhe Lindjen e Mesme dhe i bëri thirrje bashkësisë ndërkombëtare që të shtojë trysninë ndaj Iranit dhe Rusisë.

Shtetet e Bashkuara thanë të premten se çfarëdo dërgese e raketave balistike iraniane Rusisë do të shënonte një përshkallëzim të thellë të luftës në Ukrainë.

Kësaj gjuhe i bëri jehonë të hënën një zëdhënës i NATO-s, i cili tha se aleanca perëndimore ushtarake është në dijeni të njoftimeve të mediave, por se nuk mund të komentojë vërtetësinë e tyre.

“Siç kanë thënë aleatët në të kaluarën, çfarëdo dërgese e raketave ballistike dhe teknologjisë së ngjashme nga Irani për në Rusi do të përbënte një përshkallëzim të rëndësishëm”, deklaroi zëdhënësi i NATO-s./VOA