Të paktën 82 persona kanë vdekur në Vietnam pas super tajfunit që goditi vendin të shtunën, i cili ka shkaktuar rrëshqitje dheu dhe përmbytje.
Mijëra njerëz mbetën të bllokuar në çatitë e banesave në disa provinca veriore, ndërsa të tjerë postuan lutje të dëshpëruara për ndihmë në mediat sociale të martën.
Tajfuni Yagi, stuhia më e fuqishme e Vietnamit në 30 vjet, ka shkaktuar dëme në të gjithë veriun e vendit, duke lënë 1.5 milionë njerëz pa energji elektrike.
Edhe pse tani është dobësuar, autoritetet kanë paralajmëruar se Yagi do të krijojë më shumë dëme ndërsa lëviz drejt perëndimit.
Phan Thi Tuyet, 50 vjeç, e cila jeton afër lumit, tha për agjencinë e lajmeve AFP se: “Kam humbur gjithçka, të gjitha janë zhdukur,” u shpreh ajo duke shtrënguar dy qentë e saj.
“Më duhej të shkoja në një pjesë toke më të lartë për të shpëtuar jetën tonë. Nuk mund të merrnim asnjë me vete. Çdo gjë është nën ujë tani.”
Stuhia – e cila solli erëra prej afro 150 km/h (92 mph) – ka dëmtuar ura, ka shkatërruar çatitë e ndërtesave, ka dëmtuar fabrika dhe ka shkaktuar përmbytje dhe rrëshqitje dheu, duke lënë 64 persona ende të zhdukur.
Autoritetet tani kanë lëshuar paralajmërime për përmbytje dhe rrëshqitje dheu për 401 komuna në 18 provincat veriore.
Përveç të vdekurve dhe të zhdukurve, përmbytjet dhe rrëshqitjet e dheut kanë plagosur gjithashtu të paktën 752 persona, thanë të martën zyrtarët në Ministrinë e Bujqësisë.