Policia ka arrestuar një 31-vjeçar, pasi dyshohet se ka mbjellë dy parcela me mbi 700 bimë kanabisi të gjetura në dy fshatra të ndryshëm të Pogradecit.
Uniformat blu bëjnë me dije se i riu u identifikua, pasi policia zbuloi një parcelë me 128 bimë narkotike, në vendin e quajtur “Uji i Ftohtë”.
“Në kuadër të megaoperacionit “Territor i pastër”, është përcaktuar autorësia e kultivimit të 128 bimëve narkotike që u gjetën në vendi i quajtur “Uji i Ftohtë”, njësia administrative Velçan, Pogradec. Shtetasi D. S., 31 vjeç, banues në fshatin Çermë-Sektor, Lushnjë, dyshohet se ka kultivuar 128 bimët narkotike cannabis sativa që u gjetën në këtë zonë, të cilat u asgjësuan me anë të djegies. Ky shtetas është arrestuar më datë 08.08.2024, i dyshuar si autor i kultivimit të 610 bimëve narkotike cannabis sativa, që u gjetën në vendin e quajtur “Uji i Ftohtë”, në fshatin Tallë, dhe u asgjësuan me anë të djegies”, njofton policia.