34 persona janë vrarë, përfshirë 19 gra dhe fëmijë, thanë zyrtarët shëndetësorë në Gazë gjatë sulmeve izraelite.
Izraeli kreu sulme ajrore gjatë natës në mbarë Gazën, ndërkaq më 11 shtator sulmoi një shkollë të Kombeve të Bashkuara ku strehohen palestinezët e zhvendosur, si dhe dy shtëpi.
Sulmi më vdekjeprurës ndodhi pasditen e së mërkurës, kur u godit shkolla e OKB-së, Al-Jaouni, në kampin e refugjatëve Nuseirat në Gazën qendrore.
Ushtria izraelite tha se shënjestroi radikalët e Hamasit, grupit palestinez të shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian.
Ushtria izraelite pretendoi se ata po planifikonin të kryenin sulme nga brenda kësaj shkolle. Ky pretendim i Izraelit nuk ka mundur të konfirmohet në mënyrë të pavarur.
Të paktën 14 persona u vranë në këtë sulm, përfshirë dy fëmijë dhe një grua, trupat e të cilëve u dërguan në spitalet Avda dhe Al-Aksa, thanë zyrtarët spitalorë. Të paktën 18 persona të tjerë u plagosën.
Dhjetëra mijëra palestinezë që janë zhvendosur nga shtëpitë e tyre për shkak të ofensivës izraelite jetojnë në shkollat në Gazë. Shkolla al-Jaouni është një prej shumë shkollave që udhëhiqet nga agjencia e OKB-së për palestinezët. Shumë nga këto shkolla kanë qenë cak i sulmeve që kur nisi lufta në Gazë në tetor.
Izraeli shpesh bombardon shkollat, duke thënë se ato përdoren nga Hamasi, të cilin e fajëson për viktimat civile nga sulmet ajrore, pasi argumenton se luftëtarët e grupit operojnë brenda zonave të populluara.