Kryeministri Albin Kurti është takuar mbrëmjen e djeshme me presidentin e Francës, Emanuel Macron në Pallatin Elisee. Ai tha se në këtë takim kanë biseduar për dialogun me Serbinë, liberalizimin e vizave dhe për avancimin e bashkëpunimit ndërmjet dy vendeve në fusha të ndryshme.

Kurti u shpreh më tej se nga presidenti Macron nuk ka marrë ndonjë premtim për liberalizim të vizave, por shtoi se Kosova duhet të fokusohet në luftën e krimit dhe korrupsionit.

“Sigurisht që qytetarët e Republikës së Kosovës janë të interesuar për liberalizimin e vizave dhe është e padrejtë që Kosova pas plotësimit të të gjitha kritereve ende nuk e ka të hequr regjimin e vizave. Më 18 korrik të këtij viti bëhen tre vjet prej që Komisioni Evropian ka thënë që Kosovës duhet t’i hiqet regjimi i vizave. Në vizitën tonë kjo çështje është trajtuar. Unë jam i bindur që ata e kanë marrë mesazhin tonë, mirëpo nuk ka zotim nga ana e tyre që të ketë heqje të regjimit të vizave. Kishim edhe një takim paraprak ndërmjet ministrit të Brendshëm Xhelal Sveçla dhe homologut të tij francez, i cili u përqendrua në aspektet teknike të sundimit të ligjit. Gjatë këtyre muajve ne kemi luftuar edhe korrupsionin edhe krimin e organizuar”, tha ai në një intervistë për RTK-në, ndërsa shtoi se kjo vizitë do të kontribuojë sado pak që Franca të zbutë skeptizmin e saj ndaj liberalizimit të vizave për Kosovën. Kurti pranoi se edhe Holanda po krijon pengesa në këtë proces.