Drejtoria e Burgjeve evidenton një tjetër rast kur me dron grupet kriminale përpiqen të fusin sende të ndaluara në burgje. Bëhet fjalë për burgun e Peqinit, ku kamerat e rrethimit të jashtëm kanë konstatuar dronin rreth 120 – 150 metra larg perimetrit të sigurisë dhe kanë njoftuar policinë.

Sipas informacioneve paraprake, droni u konstatua afër kalcetos dhe pasi është bërë kontrolli janë gjetur rreth 33 doza kokaine 200 gr hashash, dy telefona iPhone dhe disa fisha karikimi.

Ky është rasti i dytë brenda pak ditësh që në burgje tentohet të futen sende të ndaluara me dron. Pak ditë më parë, më 8 shtator në burgun e Burrelit u kap një dron me të cilin grupet kriminale kishin tentuar të fusnin sende të paligjshme.