NATO mund të hyjë në një luftë kundër Rusisë? Kjo tezë e guximshme nga pushtetmbajtësi i Kremlinit, Putin nuk po shkakton shqetësime të mëdha në BE dhe NATO. Po pse?
Kërcënimet e fundit të presidentit rus, Vladimir Putin ndaj NATO-s nuk kanë çuar në ndonjë reagim të menjëhershëm në Bruksel. Putin tha më parë, se nëse shtetet e NATO-s lejojnë Ukrainën të përdorë raketa perëndimore në territorin rus, NATO do të ishte në luftë me Rusinë. Një përgjigje nga NATO lidhur me këtë të premten nuk pati. Sekretari i Përgjithshëm në largim i NATO-s, Jens Stoltenberg, ka deklaruar vazhdimisht se NATO si organizatë nuk do të marrë pjesë aktive në mbrojtjen e Ukrainës kundër agresorit rus.
Në samitin e Komunitetit Politik Evropian (EPC) në Oksford në korrik, Stoltenberg u shpreh, se “ne nuk do të jemi palë në këtë konflikt. Kjo është arsyeja pse ne e mbështesim Ukrainën në shkatërrimin e avionëve luftarakë rusë, por nuk do të ndërhyjmë drejtpërdrejt”. NATO ka dy detyra, tha Sekretari i Përgjithshëm gjatë një vizite në Uashington në qershor: “Njëra detyrë është të mbështesë Ukrainën. Tjetra është të parandalojë që konflikti të përshkallëzohet në një konflikt gjithëpërfshirës midis Rusisë dhe NATO-s në Evropë”. NATO mbetet një aleancë mbrojtëse, tha Stoltenberg, dhe sulmuesi është Rusia.
Shkallëzimi nga Moska
Kreu i shtetit rus, Vladimir Putin i tha disa herë një gazetari në Shën Petersburg të enjten se ai do t’i përgjigjej në përputhje me rrethanat kërcënimeve nga NATO. Por ai e la të hapur se çfarë donte të thoshte me këtë. Pushtetmbajtësi rus i ka bërë disa herë deklarata të tilla. Madje të besuarit e tij në parlamentin rus kërcënuan, se do të përdornin armë bërthamore. Në fjalimin televiziv më 22 shkurt 2022 në ditën e parë të sulmit të tij ndaj Ukrainës, Putin, tha, se NATO-ja është fajtore për konfliktin dhe arsyen e “operacionit ushtarak” në Ukrainë.
Por si pushtimi në shkallë të gjerë i Ukrainës, valët e reja të sulmeve në këtë vend, granatimet e popullsisë civile – gjithmonë përshkallëzimi i luftës ka ardhur nga Rusia. Nëse vjen përshkallëzimi, ai vjen nga Rusia, tha Sekretari Amerikan i Shtetit, Anthony Blinken, para dy ditësh në Varshavë. Ai iu referua gjithashtu raketave që ushtria ruse me sa duket po i siguron nga Irani. Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë i ka bërë thirrje Rusisë që të ndalojë sulmet e saj. Ekziston edhe një urdhër arresti kundër Putinit nga Gjykata Ndërkombëtare Penale në Hagë për krime të dyshuara lufte.
Kryeministri polak Donald Tusk nuk do të shqetësohet shumë për deklaratat e fundit të presidentit rus. “Zhvillimet në Ukrainë dhe në frontin ruso-ukrainas duhet t’i marrim shumë seriozisht, por unë nuk do t’i kushtoja rëndësi të tepërt deklaratës së presidentit Putin” tha Tusk para shtypit në Varshavë, një ditë pas takimit me Sekretarin e Shtetit të SHBA-së, Anthony Blinken, që kishte ardhur nga Kievi.
Blinken siguroi se Shtetet e Bashkuara, së bashku me Britaninë e Madhe, po shqyrtojnë, nëse armët perëndimore me rreze të gjatë veprimi mund të përdoren kundër objektivave ushtarake në Rusi. Deri më tani, SHBA-të dhe shtetet e tjera të NATO-s e kanë lejuar Ukrainën të përdorë armë perëndimore në territorin rus vetëm në një masë shumë të kufizuar. Udhëzimet operacionale janë përshtatur gjithmonë me zhvillimet në fushën e luftimeve dhe ne do të vazhdojmë ta bëjmë këtë, tha Blinken.
Kufizimet bien, por me vonesa
Aleatët perëndimorë kanë qenë gjithmonë të kujdesshëm në furnizimin me predha, tanke, obus, municione, raketa dhe në fund me avionë luftarakë për ushtrinë ukrainase. Gjithmonë ekzistonte frika se NATO bëhej palë në luftë, dhe Rusia mund të provokohej. Por meqenëse Rusia nuk po jep shenja shenja të përfundimit të luftës, shumë kufizime janë hequr gradualisht.
Tani Ukraina së shpejti mund të lejohet të përdorë raketa amerikane dhe raketa të tjera kundër instalimeve ushtarake ruse thellë në brendësi. Megjithatë shumë kufizime mbeten në fuqi. Italia e ndalon përdorimin e armëve të saj në territorin rus. Belgjika këmbëngul se avionët luftarakë F-16 nga një dërgesë belge lejohen të sulmojnë vetëm objektivat në hapësirën ajrore të Ukrainës. Gjermania nuk furnizon me asnjë raketë të tipit Taurus. Kjo është vija e kuqe për kancelarin Olaf Scholz (SPD). Në fillim të korrikut, kancelari premtoi në Bundestag se Gjermania nuk do të bëhej palë ndërluftuese përmes mbështetjes së saj për Ukrainën. “Po, unë e jap këtë garanci. Unë qëndroj për të.”
Putin i paparashikueshëm
Në një konferencë shtypi me gazetarët ndërkombëtarë në Shën Petersburg në qershor, presidenti Putin hodhi poshtë me zemërim idenë se Rusia donte të sulmonte NATO-n . “A e keni humbur plotësisht mendjen? Kush e ka trilluar këtë? Kjo është plehrë. Është absolutisht marrëzi,” iu përgjigj Putini një gazetari.
Megjithatë, se si dhe kur Vladimir Putin do të reagojë ndaj asaj që ai e sheh si provokim nga NATO, është e vështirë të llogaritet. Në Konferencën e Sigurisë në Mynih në shkurt 2024, eksperti i Evropës Lindore Andreas Umland nga Qendra e Stokholmit për Studimet e Evropës Lindore tha se ekziston një “element çmendurie” në vendimet e Putinit. “Ka mbetur një pjesë paqartësie në lidhje me racionalitetin e udhëheqjes ruse, e kjo po bën që politikanët e sigurisë të përgatiten për një skenar të rastit më të keq, një luftë me Rusinë,” tha Andreas Umland në Radion Bavareze.
Ministri gjerman i Mbrojtjes Boris Pistorius nuk lodhet kurrë së paralajmëruari se një Rusi autoritare përbën kërcënimin më të madh për NATO-n. Në pesë deri në tetë vjet, Rusia mund të jetë në pozicionin për të sulmuar NATO-n. Kjo është arsyeja pse ne duhet të bëhemi gati për luftë, ka thënë Pistorius që nga viti 2023. Rusia ka rritur ndjeshëm armatimin e saj, përfshirë armatimin bërthamor, vitet e fundit. Kjo është arsyeja pse SHBA-të duan të vendosin armë të reja me rreze të mesme veprimi në Gjermani, të cilat gjithashtu mund të jenë të afta të pajisen me koka bërthamore./DW