Policia e Tiranës ka vënë në pranga një person të shpallur në kërkim nga operacioni “Tempulli 4”, duke e çuar në 25 numrin e të arrestuarve.
Bëhet fjalë për një 24-vjeçar, i cili u kap në afërsi të zonës së Brrylit në kryeqytet.
Uniformat blu thonë se po vijojnë punën për kapjen e 3 personave të tjerë të shpallur në kërkim në lidhje me këtë operacion.
Njoftimi i policisë:
Tiranë/Vijon megaoperacioni policor i koduar “Tempulli 4”.
Kapet dhe ndalohet 1 shtetas i shpallur në kërkim gjatë këtij megaoperacioni, shkon në 25 numri i të arrestuarve.
Gjatë hetimeve të kryera në kuadër të këtij operacioni, janë sekuestruar në cilësinë e provës materiale 1.8 kg lëndë narkotike kokainë,18 kg lëndë narkotike marijuanë, 350 doza me lëndë të dyshuar narkotike sintetike ekstazi dhe LCD, aparatet celulare dhe automjetet e shtetasve të implikuar në këtë veprimtari kriminale.
Shërbimet e Sektorit për Hetimin e Narkotikëve, në vijim të operacionit “Tempulli 4”, dhënë ditën e djeshme, gjatë të cilit janë arrestuar 24 shtetas, bazuar në informacionet e siguruara mbi vendndodhjen e një shtetasi të shpallur në kërkim në kuadër të këtij megaoperacioni, kanë vijuar kontrollet për kapjen dhe vënien e tij, përpara përgjegjësisë ligjore.
Si rezultat, në afërsi të Brrylit, u kap dhe u ndalua shtetasi O. V., 24 vjeç, banues në Tiranë.
Ky shtetas ishte shpallur në kërkim pasi Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”.
Vijon puna për lokalizimin dhe kapjen e shtetasve të tjerë të shpallur në kërkim në kuadër të këtij megaoperacioni.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë.
Kujtojmë se operacioni “Tempulli 4” u finalizua të shtunën. Drejtori i Policisë së Tiranës, tonin Vocaj tha se grupi kriminal me 28 persona shpërndante kokainë, marijuanë dhe drogëra sintetike afër shkollave, në lokale nate dhe zona të ndryshme të Tiranës.
Nga hetimet u zbulua se lënda narkotike sintetike dërgohej në Shqipëri përmes postës nga Serbia. Gjatë operacionit, u sekuestruan 1.8 kg kokainë, 18 kg marijuanë, 350 doza lëndë narkotike të drogërave sintetike si ekstazi, LSD etj.