Në një ngushticë toke që ndan Liqenin e Butrintit me Detin Jon, shtrihet një gji detar që ruan gjurmë të jashtëzakonshme të lulëzimit të jetës përgjatë antikitetit dhe mesjetës.
“Gjiri i Manastirit” e mori emrin nga Manastiri i Shën Gjergjit, që është ndërtuar aty që prej shekullit XVII dhe qëndron në krye të Gadishullit të Ksamilit. Gjetjet arkeologjike aty pranë janë shumë më të hershme, duke nisur nga shekujt IV-III Para Erës Sonë.
Deri në vitin 2022 në zonë kishte pak ndërhyrje ndërtimore, kryesisht nga strukturat turistike, por situata u përmbys pasi qeveria shqiptare rrudhi sipërfaqen e mbrotjur të Parkut Kombëtar të Butrintit dhe i hapi rrugë projekteve ndërtimore.
Me një ritëm më të shpejtë se vendimet e shtetit shqiptar, projekti “Manastiri Resort” mori mbështetjen e menjëhershme si një investim strategjik, për të ndërtuar një fshat turistik në gjirin gati të paprekur të Manastirit.
Projekti i kompanisë “ALB-STAR” parashikohet të përfundojë vitin që vjen dhe kap vlerën 28 milion euro, duke e transformuar rrënjësisht zonën, përmes ndërtimit të vilave 2 deri në 4 kate, përfshirë një hotel, ambiente shërbimi dhe parkime nëntokësore.
“Arratisuni në parajsën tuaj private”, premton për blerësit kompania në median sociale “Instagram”. Projekti ndërthur stilin grek me arkitekturën italiane, duke marrë si model Positanon, një fshat buzë shkëmbinjve në bregdetin e Amalfit, në Italinë jugore.
Megjithëse evidenton potencialin e monumenteve arkeologjike dhe natyrën e zonës, projekti duket të jetë kthyer në një parajsë për mos zbatimin e ligjit për kulturën dhe rregulloren e UNESCO-s.
Përgjatë një investigimi 2 vjeçar, Amfora zbuloi se projekti që po zhvillohet në një sipërfaqe 53.467 m2, prek një nga zonat me potencial të lartë arkeologjik të Parkut Kombëtar të Butrintit dhe një zinxhir institucionesh kanë dështuar të realizojnë monitorimin e punimeve.
Megjithëse në vitin 2010 në mënyrë rastësore u zbuluan struktura të reja antike, projekti i resortit vijoi duke shkatërruar një prej zbulimeve që fillimisht dyshohej si kullë fortifikimi e Antikitetit të Vonë, si edhe duke kryer punime nëntokësore pa monitorim arkeologjik.
Instituti Kombëtar i Trashëgimisë Kulturore (IKTK) censuroi dokumentet që dispononte dhe për gati 1 vit ndryshoi disa herë alibi, duke ekspozuar procedura fiktive dhe të mbajtura në kundërshtim me parashikimet ligjore për vetë IKTK-në dhe këshillin shkencor që funksionon pranë tij.
“Tek ajo kodër, së pari është ndërtuar Muri i Demës, arkeologjia shqiptare në lidhje me shkrimet që janë nga arkeologë të ndryshëm, sidomos Budina dhe të tjerë pas tij në artikuj të ndryshëm, e vendosin në shekullin IV-III Para Krishtit”, tregoi për potencialin arkeologjik të zonës duke nisur nga “Kodra e Manastirit”, studiuesi Halil Shabani.
Misioni i përhershëm i UNESCO-ICOMOS gjeti se pas heqjes së 600 hektarëve nga Zona e Mbrojtur, ju hap rruga ndërtimit të resortit, që megjithatë ka shkelur dhe është ndërtuar brenda “Zonës Buferike” sepse nuk janë ndjekur procedurat e Konventës së Trashëgimisë Botërore për modifikimet e kufijve.
“Tani ekziston një situatë ku Parku Kombëtar dhe zona buferike e pronës së Trashëgimisë Botërore ndryshojnë dhe zona tampon tani përfshin një resort të madh turistik rezidencial”, gjeti raporti që Amfora lexoi.
Raporti steril i vëzhgimit arkeologjik
Qeveria shqiptare ndryshoi përballë një lumi kritikash zonifikimin e Zonave të Mbrojtura në Shqipëri, duke krijuar shumë xhepa të lakmuar në bregdetin shqiptar për ndërtime që kanë nisur pas miratimit të kufijve të rinj.
Vendimi i Këshillit të Ministrave me numër 59, i datës 26 janar 2022, i hoqi Parkut Kombëtar të Butrintit 802 hektarë nga Zona e Mbrojtur, duke e rrudhur nga 9424 hektarë, në 8622 hektarë. Pra 202 hektarë më shumë nga sa gjeti raporti i UNESCO-ICOMOS, në tetor 2022.
Ende pa hyrë në fuqi ndryshimet e zonifikimit të Zonave të Mbrojtura, në shkurt 2022, Komisioni i Investimeve Strategjike miratori përmes vendimit numër 8/6, të datës 2 dhjetor 2021, statusin e investitorit strategjik “me procedurë të asistuar”, për kompaninë “ALB STAR” sh.p.k.
Komisioni i udhëhequr nga kryeministri Edi Rama, vlerësoi se projekti i plotësonte të gjitha kriteret ligjore për të përfituar statusin special të “investitorit strategjik”, që përfshin një sërë lehtësirash fiskale dhe mbështetje infrastrukturore. Megjithëse kompania “ALB STAR” sh.p.k. aplikoi dhe e fitoi këtë status special, një kompani në hije po merret me menaxhimin e të gjithë këtij investimi.
Subjekti “MANASTIRI RESORT” u krijua edhe më herët se të merrej vendimi final i qeverisë shqiptare. Më 16 nëntor 2021 u themelua kompania që po merret me ndërtimin dhe menaxhimin që nis nga vilat, deri tek hoteli dhe plazhi.
Bazuar në ekstraktet e Qendrës Kombëtare të Biznesit, fillimisht aksionarë të kompanisë ishin dy nënkompani, “FINMAN”, që mbante 50% të aksioneve dhe që kontrollohet nga Familja Ismailaj, zotërues edhe të “ALB STAR” sh.p.k dhe subjekti “ANDI” sh.p.k, që mbante 50% të aksioneve dhe që kontrollohet nga Familja Gjiknuri – aksione të cilat ajo ja shiti përfundimisht ortakut “FINMAN”, më 1 nëntor 2022.
Dokumentacioni që shoqëron çdo investim në zonat me potencial arkeologjik kalon përmes disa filterave dhe kontrolleve, para dhe gjatë nisjes së investimeve në terren. Si në çdo rast të ngjashëm, projekti kaloi përmes Këshillit Kombëtar të Trashëgimisë Kulturore, i cili miratoi raportin e vëzhgimit arkeologjik, që përbëhet nga ekspertë dhe përfaqësues të institucioneve të kulturës.
Amfora i kërkoi Institutit Kombëtar të Trashëgimisë Kulturore (IKTK) raportin e vëzhgimit arkeologjik të përgatitur për këtë projekt, i cili është paraprak dhe paraqet situatën në terren. IKTK nuk pranoi ta dorëzonte raportin në shkelje të Ligjit për të Drejtën e Informimit, duke e ndërruar disa herë qëndrimin e saj përgjatë rreth 10 muajve.
Në raportin që Amfora gjeti më pas, rezulton se ai jep një analizë të sipërfaqes së kantierit dhe të potencialit arkeologjik jashtë tij, por pa përmendur zbulimin e strukturës rrethore në vitin 2010.
Dokumenti rezulton të jetë përgatitur nga arkeologia Iris Pojani, një eksperte e licensuar për shërbime arkeologjike, njëkohësisht drejtuese e Departamentit të Arkeologjisë dhe të Trashëgimisë Kulturore, në Universitetin e Tiranës.
Megjithëse duhej edhe gati 1 vit që qeveria shqiptare të njoftonte se do të ndryshonte kufirin e Zonave të Mbrojtura, kompania e kishte porositur këtë raport që në mars 2021, përpara se propozimi të kalonte për vlerësim në Komitetin e Investimeve Strategjike.
“Sipërfaqja e ndërtimit përfshirë hapësirat mbi tokë dhe nëntokë do të jetë rreth 25.000 m² ndërtim, ndërsa zonat ku do të ndërhyhet në peizazh, duke përfshirë rrugicat, shtigjet dhe shkallët arrijnë në 12.000 m²”, evidentoi raporti.
Pojani i referohet gjithashtu Raportit Vjetor të vitit 2010 të ish-Agjencisë së Shërbimit Arkeologjik, duke përmendur vetëm gjetjet rastësore që dolën përpara rikonstruksionit të rrugës në atë kohë dhe duke shpjeguar se ato nuk preken nga projekti “Manastiri Resort”.
Por tek i njëjti raport zyrtar që Pojani citoi, rezulton të jenë të dhënat edhe për një zbulim tjetër arkeologjik po në atë zonë. Raporti i kohës e evidentoi si një strukturë rrethore, e dyshuar si një kullë vrojtimi që i përket Antikitetit të Vonë, një fazë e dytë e mundshme e Murit të Demës. Zbulim ky që ishte në gjurmën e resortit dhe u rrafshua gjatë punimeve.
David Dulaj është një banor i zonës që rrëfeu për Amforën se ka punuar në vitin 2010 si punëtor për lëvizjen e dherave gjatë gërmimit arkeologjik dhe tregoi se përpara viteve’ 90 pranë strukturës kishin vendosur një lapidar.
“Më pas e hapën prapë ku dhe doli struktura e vogël, e bukur. Tani nuk duket, është shkatëruar”, rrëfeu Dulaj për zbulimin e vitit 2010, pasi saktësoi disa herë se në vendin e zbulimit kishin ndërhyrë disa herë edhe përgjatë komunizmit.
Megjithatë në raportin e Pojanit, të porositur nga kompania që po ndërton resortin, evidentohen të dhënat arkeologjike vetëm për zonën jashtë projektit dhe nuk jepet asnjë element apo sugjerim për strukturën rrethore që u zbulua në vitin 2010 dhe që sot është brenda gjurmës së resortit.
Raporti evidentoi se parashikohet të ndërtohet një parkim nëntokësor me 22 vende parkimi dhe një tjetër akoma më i madh, me 38 vende parkimi. Megjithatë në rekomandimet në fund të raportit nuk jepet asnjë orientim për kryerjen e sondazheve arkeologjike për këto punime nëntokësore.
Në zonat me potencial të lartë arkeologjik, në hapësirat ku realizohen punime nëntokësore rekomandohet kryerja e sondazheve, që janë kontrolle parprake të tokës, për të vlerësuar nëse themelet apo punimet e gërmimit prekin struktura arkeologjike.
Raporti i Pojanit u miratua në mbledhjen e Këshillit Kombëtar të Trashëgimisë Kulturore Materiale (KKTKM), përmes vendimit numër 271, datë 8 qershor 2021. Por i gjithë procesi nga ana e kompanisë “ALB-STAR” duket të ketë qenë një farsë, me qëllim plotësimin e dokumentacionit paraprak për marrjen e statusit “investitor strategjik”.
KKTKM-ja la si detyrë që kompania të lidhte paraprakisht akt-marrëveshjen 3 palëshe me subjektet e licensuara në fushën e arkeologjisë, për të ndjekur punimet çdo ditë. Këshilli nuk e pa të arsyeshme që të kërkonte kryerjen e sondazheve arkeologjike për projektin që prek një zonë me rrisk të lartë. Nga ana tjetër kompania i vijoi punimet pa asnjë monitorim, në kundërshtim me vendimin e KKTKM-së.
Amfora i vëzhgoi punimet e resortit që prej verës së vitit 2022 dhe ato vijuan fillimisht me heqjen e volumeve të dherave, duke ulur lartësinë e kodrës dhe duke kryer punime masive gërmimi.
Sipas përgjigjes së IKTK-së në verën e vitit 2023, subjekti ende nuk kishte lidhur një marrëveshje për monitorimin arkeologjik, duke vijuar punimet që prekin nëntokën pa asnjë kontroll, në kundërtshtim me vendimin e këshillit shkencor.
“Instituti Kombëtar i Trashëgimisë Kulturore nuk ka administruar asnjë lloj lajmërimi mbi fillimin e punimeve apo gjetjeve rastësore në lidhje me projektin në fjalë”, shpjegoi ndër të tjera IKTK.
Por kompania “ALB STAR”, që shkeli çdo detyrim ndaj autoriteteve të kulturës, më herët është pajisur prej tyre me një licensë, duke e autorizuar për ndërhyrje në pasuri kulturore materiale. Larg respektimit të trashëgimisë ekzistuese, në dokumentet e projektit që Amfora lexoi, parashikohet edhe ndërtimi i një kishëze buzë bregdetit shkëmbor të Manastirit.
Kompanitë “ALB STAR”, “MANASTIRI RESORT” dhe arkeologia Iris Pojani, nuk ju përgjigjën kërkesave për koment, dërguar nga Amfora për të njohur qëndrimin e tyre.
Misioni i përhershëm UNESCO–ICOMOS u shpreh se, “Misioni nuk u informua nëse kjo procedurë ndiqej në rastin e Manastirit Resort apo jo”, lidhur me ndjekjen e procedurave për mbrojtjen e arkeologjisë dhe kërkuan kryerjen e plotë të tyre.
“Megjithatë, roli që ka luajtur Ministria e Kulturës në rastin konkret të Resortit të Manastirit, mbetet shumë i paqartë për misionin”, shtoi raporti i përgatitur në tetor 2022.
Shoqata Ornitologjike e Shqipërisë (AOS), në një përgjigje për Median Amfora evidentoi se këto ndërhyrje sjellin shumë ndikime negative në habitate, përfshirë ndryshimet dhe cenimet e florës dhe faunës.
“Resort në kufij/prek të PK [Parkut Kombëtar], në zonën e quajtuar Plazhi i Manastirit, me sipërfaqe të modifikuar, shpyllëzuar dhe ndërtuar (ndërtesë dhe infrastrukturë) rreth 5.2 ha”, evidentoi AOS-i për projektin e Gjirit të Manastirit.
“Vlen gjithashtu të theksohet se sipërfaqja e hequr me vendim të Këshillit të Ministrave në janar 2022 është dukshëm më e madhe se ajo e rekomanduar nga PUN dhe për më tepër është pasuar nga një leje ndërtimi e datës 11 shkurt 2022, dhënë nga Këshilli Kombëtar i Territorit për Resortin e Manastirit. Ky është një projekt i madh urbanizimi, megjithëse i zhvilluar si një resort turistik”, gjeti raporti i UNESCO-s dhe ICOMO-s.
Përveç dëmeve dhe transformimeve të parikuperueshme për trashëgiminë, sipas ekspertëve këto projekte po rrezikojnë edhe perspektivën e këtyre pasurive natyrore-kulturore për përfshirjen në zonat e mbrojtura të Bashkimit Evropian.
“E rëndësishme të theksojmë se me këto veprime ‘minohet’ mundësia që zona e Butrintit të shpallet në të ardhmen si Zonë me Rëndësi për Komunitetin Evropian dhe Zonë Natura 2000, një detyrim ky për Shqipërinë përpara se të bëhet pjesë e Komunitetit Evropian”, analizoi Shoqata Ornitologjike e Shqipërisë.
Ndryshimi disa herë i alibisë
Instituti Kombëtar i Trashëgimisë Kulturore (IKTK) përgjatë 10 muajve mbajti qëndrime të ndryshme, nga pretendimet për posedimin ose jo të dokumenteve të projektit, deri tek ndërrimi i versionit për zbulimin arkeologjik të vitit 2010.
Amfora i kërkoi IKTK-së procesverbalet për mbledhjet shkencore të vitit 2010, ku u zbulua struktura rrethore dhe për mbledhjen e vitit 2021, ku u miratua projekti “Manastiri Resort”. Fillimisht IKTK-ja refuzoi të jepte këto të dhëna, duke shpjeguar së diskutimet përmbanin të dhëna personale, pretendime që u rrëzuan më pas nga Komisionerit për të Drejtën e Informimit.
Në kundërshtim me vendimin e tij, numër 51, marrë më 8 nëntor 2023, IKTK-ja refuzoi të jepte dokumentet publike. Pas kërkesave të vazhdueshme të Amforës, ajo ndryshoi qëndrim dhe nga pohimi se dokumentet i dispononte, por nuk i jepte për shkak të të dhënave personale, tregoi se nuk i posedonte ato për shkak se nuk ekzistonin.
“Nga kërkimet pranë Arkivit Teknik dhe Sekretarisë Teknike të Institutit Kombëtar të Trashëgimisë rezulton se nuk ka procesverbale për vendimet e sipërcituara”, u përgjigj IKTK-ja.
Ironikisht të dyja mbledhjet, e vitit 2010 dhe 2021 për të njëjtën zonë, janë mbajtur në kundërshtim me udhëzimet ligjore. Referuar vetëm dy Vendimeve të Këshillit të Ministrave, me numër 364, datë 29 maj 2019 dhe me numër 208, datë 10 prill 2019, ndër të tjera caktohet se, “Vendimi reflektohet në procesverbalin e mbledhjes”, duke kërkuar që jo vetëm diskutimet gjatë mbledhjes, por edhe vendimi të reflektohet në procesverbal.
Kursi ndryshoi 360 gradë edhe për dokumentin tjetër, raportin e vëzhgimit arkeologjik, të përgatitur për kompaninë private nga arkeologia Iris Pojani.
Megjithëse duhej ta arkivonte edhe në kopje fizike, IKTK-së “ja grabitën” dokumentin në formën e vetme që e kishte, elektronike, pasi pretendoi fillimisht se nuk e jepte për shkak të së drejtës së autorit.
Gati 10 muaj pasi nuk e dha raportin dhe orientoi që të merrej tek subjekti privat që e ka përgatitur, IKTK-ja u përgjigj se:
“Në sistemin e-leje ku ngarkohen aplikimet, të cilat shqyrtohen në Këshillin Kombëtar të Trashëgimisë Kulturore Materiale (KKTKM), rezulton se pas sulmit kibernetik, mes Korriku 2022, nuk ka asnjë të dhënë mbi aplikimet e ngarkuara më herët, konkretisht ku përfshihet edhe ‘Raport Vëzhgimi Arkeologjik’, miratuar me Vendim Nr. 271, datë 08.06.2021 të KKTKM-së”.
E njëjta gjë ndodhi edhe me zbulimin arkeologjik të vitit 2010, ku pas shumë korrespondencave Amfora u njoh me një qëndrim të ri për vetë tipologjinë e strukturës.
Raporti Vjetor i vitit 2010 i ish-Agjencisë së Shërbimit Arkeologjik (ASHA) mban në kopertinën e tij të pasme foton e një strukturë rrethore, që sot është shkatërruar nga punimet e resortit.
Gjatë punimeve që nisën për sistemimin e rrugës që lidh Çukën me Butrintin në vitin 2010, punimet u ndaluan sapo në kryqëzimin për tek Manastiri i Shën Gjergjit u hasën struktura arkeologjike. Gjetjet dhe evidencat ishin të shumta dhe vetë ASHA u investua në dokumentimin e një strukture rrethore dhe të mureve antike aty pranë.
“Objekti paraqet një formë rrethore, pothuajse të rregullt. Përbëhet nga dy radhë muresh, i jashtmi, dhe i brendshmi. Muri i jashtëm është më i gjerë se sa i brendshmi, gjerësia e tij është 0.90 m dhe lartësia maksimale deri në nivelin që është gërmuar shkon rreth 0.50 m”, shkruan Raporti Arkeologjik i Shpëtimit, që u përgatit nga ASHA në vitin 2010.
Aty pranë janë identifikuar prej vitit 1963 mure antike të një niveli ndërtimor shumë cilësor, me qëllim mbrojtjen dhe ndarjen e territorin të Butrintit në jug, nga territori i qytetit helenistik Pheonike në veri.
Ato datohen së paku prej vitit 232 Para Erës Sonë dhe janë evidentuar disa faza të konsolidimit të tyre. Strukturat e reja që dolën nga punimet rrugore ngritën pikëpyetje edhe për fazat e mëvonshe të meremetimit.
Një artikull shkencor i vitit 2012 i arkeologut britanik, Richard Hodges dhe koleges shqiptare, Nevila Molla, që Amfora e konsultoi në mënyrë të pavarur, analizoi zbulimin e një segmenti muri pranë projektit që po zbatohet dhe që nuk preket prej tij, duke ngritur dyshime se muri përbën kufirin verior të murit të Demës, që shtrihej deri në Liqenin e Butrintit dhe se rinovimi i murit helenistik mund të ishte bërë në shekullin XI të Erës Sonë.
Ngjashëm me pamjet e këtij muri, ishte edhe teknika e ndërtimit të strukturës rrethore që u zbulua brenda gjurmës së projektit të sotëm, “Manastiri Resort”.
“Dukesh pak, pastaj e zbuluan. Është me inventar po ta kërkosh”, kujtoi David Dulaj.
“Ata erdhën deri tek lapidari, ai kishte qenë mbi këtë. Pas ’84-ës e bënë këtë lapidarin e madh”, kujtoi burri, duke saktësuar distancën e afërt midis lapidarit dhe zbulimit. Ai përveçse punoi si punëtor gjatë gërmimit arkeologjik në vitin 2010, është njëkohësisht banor i zonës.
Megjithëse nuk u thellua gjurma e gërmimit, struktura në formë rrethore u konsiderua fillimisht si një kullë e ndërtuar me qëllim mbrojtjen, ndoshta në Antikitetin e Vonë dhe që më pas ka pësuar dëmtime dhe transformime nga strukturat ushtarake që u ndërtuan përgjatë komunizmit.
“Njëra është faza që lidhet me ndërtimin e kullës, për të cilën mendojmë se i përket periudhës së Antikitetit të Vonë, kjo duke u nisur nga materiali i pakët arkeologjik dhe teknika e ndërtimit”, gjeti raporti i vitit 2010.
“Faza tjetër i përket periudhës moderne, me siguri mund të themi pas vitit 1945. Mendojmë se lidhet me kohën e ndërtimit te bunkerëve per mbrojtjen e kufirit, në funksion të të cilit duhet të jetë ndërtuar edhe objekti që ngrihet direkt sipër kullës”, përfundoi raporti, duke shtuar sugjerime për mbrojtjen e zbulimit dhe kthimin e tij në të vizitueshëm.
Megjithëse gërmimi u realizua nga një grup pune, raporti i vitit 2010 u përgatit nga Mariglen Meshini, arkeolog që vijon të jetë pjesë e Drejtorisë së Shërbimit Akeologjik, sot pranë Institutit Kombëtar të Trashëgimisë Kulturore.
Në përgjigjen e sjellë për Amforën, pyetur pas projektit “Manastiri Resort”, Meshini ofroi një version të ri të gjetjeve, duke ekspozuar vetëm fazën e dytë të përdorimit që evidentoi raporti i vitit 2010 dhe që lidhet me qëllimet ushtarake përgjatë komunizmit.
“Ajo që u evidentua qartë nga gërmimi ishte prania e elementëve të betonit dhe hekurit brenda rrezes së rrethit dhe në të njejtën kuotë me themelet e strukturës, e cila u gjykua si fazë ndërtimi e pas viteve 1945”, shpjegoi Meshini.
“Për këtë arsye, pra duke qenë se objekti i zbuluar nuk ishte një rrënojë arkeologjike, por një ndërtim në funksion të kontrollit ushtarak të përdoruesve të rrugës për në Butrint, për objektin e zbuluar nuk u vijua me masat konservuese siç parashikonte Vendimi i KKA dhe nuk u vijua me hapat e mëtejshëm për shpalljen e tij monument kulture nga Ministria e Kulturës”, vijoi ai argumentimin.
“Sqaroj gjithashtu se, gjatë prezantimit të projektit në fjalë, nga ana e DSHA është relatuar jo vetëm në lidhje me objektet me status pasuri kulturore, por edhe për të gjitha proceset arkeologjike të realizuara nga ish-Agjencia e Shërbimit Arkeologjik përgjatë periudhës 2010- 2011 në këtë segment rrugor”, shpjegoi Meshini.
Në mungesë të mbajtjes së pocesverbalit të mbledhjes, ndryshe nga sa parashikon ligji, Amfora nuk e verifikoi dot nëse janë dhënë rekomandimet për kompaninë ALB STAR dhe për arkeologen Iris Pojani.
Në raportin e vitit 2010 Meshini dhe grupi kërkimor gjithashtu e evidentoi fazën e dytë të ndërhyrjeve me karakter ushtarak, por duke shpjeguar se pjesa e parë e ndërtimit mund të ishte një strukturë arkeologjike e Antikitetit të Vonë, që ka shërbyer në fazën e dytë të Murit të Demës.
Banorët e zonës që Amfora pyeti evidentuan aktivitetin ushtarak në zonë, por që nuk e përjashton ripërdorimin e strukturave ekzistuese antike.
Studiuesi nga Saranda dhe pjesëmarrësi në shumë ekspedita arkeologjike, Halil Shabani, kujtoi se në atë pikë ka pasur aktivitet të përqendruar ushtarak përgjatë komunizmit, duke menduar se zbulimi mund të ketë qenë strukturë që lidhej me aktivitetin ushtarak dhe se ende nuk është eksploruar plotësisht potenciali arkeologjik i zonës. /Amofra.al