Pas debatit presidencial të 10 Shtatorit mes ish-presidentit Donald Trump dhe zëvendëspresidentes Kamala Harris, kanë dalë në pah shqetësime të ndjeshme në radhët e republikanëve. Sipas një sondazhi të fundit të kryer nga Prolific, 86 përqind e votuesve republikanë konfirmuan se ende planifikojnë të mbështesin Trumpin, megjithatë, 40 përqind e tyre shprehen të shqetësuar për performancën e tij gjatë debatit, raporton The Economic Times.

Andreë Gordon, një konsulent i lartë kërkimor në Prolific, komentoi se “këto rezultate tregojnë një ndryshim të rëndësishëm në ndjenjat e votuesve, me shumë republikanë që shprehin shqetësim, pavarësisht mbështetjes së tyre të vazhdueshme për Trumpin. Performanca e fortë e Kamala Harris ka marrë vlerësime pozitive nga votuesit e të dyja palëve.”

Sipas sondazheve, vetëm 16 për qind e republikanëve e vlerësuan performancën e Trumpit si të shkëlqyer, ndërsa 24 për qind e tyre menduan se Harris kishte bërë një performancë të shkëlqyer ose të mirë. Po ashtu, një përqindje e ngjashme republikane e konsideroi Harris si fituese të debatit.

Në total, 57 përqind e të anketuarve e shpallën Harris si fituese të debatit. Trumpi, nga ana tjetër, është kritikuar për refuzimin e tij të ofronte një përgjigje të qartë në lidhje me ndalimin kombëtar të abortit dhe për deklaratën e tij të paqartë mbi një plan të kujdesit shëndetësor.

Në një postim të bërë më 12 Shtator, Trump deklaroi se nuk ishte më e nevojshme të bënte një debat tjetër me Harris, duke pretenduar se ajo e humbi përballjen e tyre, megjithëse sondazhet kanë treguar të kundërtën.

Në mes të këtyre zhvillimeve, Obama dhe Klinton janë angazhuar në fushatën për demokratët, ndërsa “suiftistët” po bëhen gjithnjë e më të modës në skenën politike.