Një 52-vjeçar shqiptar dhe një 37-vjeçare italiane janë arrestuar dje në Bolzano të Italisë pas një operacioni të suksesshëm të policisë.

Në bagazhin e automjetit të dyshes u gjetën 15 çanta të mbyllura me një total prej 15 kilogramë kokainë, e zbuluar nga një qen i specializuar i policisë.

Operacioni u realizua gjatë natës mes të premtes dhe të shtunës në një postbllok pranë kabinës së pagesës së autostradës Bolzano Sud.

Kontrollet e thelluara zbuluan se shoferi shqiptar kishte precedentë penalë për drogë dhe ishte shoqëruar nga një italiane.

Sipas hetimeve, automjeti ishte i regjistruar në emër të një personi të tretë shqiptar, gjithashtu me histori narkotike.

Lënda narkotike e sekuestruar ka një vlerë të lartë dhe, sipas vlerësimeve të Drejtorisë Qendrore të Shërbimeve Kundër Drogës, nëse do të hidhej në treg, do të kishte një vlerë mbi 5 milionë euro.