Shkon në 10 numri i viktimave pas përmbytjeve katastrofike që kanë përfshirë Europën Qendrore si pasojë e stuhisë Boris. 

Zonat kufitare midis Republikës Çeke dhe Polonisë janë goditur më rëndë. Disa ura janë shembur dhe shtëpitë u shkatërruan, ndërsa fshatra dhe qytete në Rumaninë lindore janë të zhytura në ujë. Më shumë se 12,000 njerëz janë evakuuar në Republikën Çeke ndërsa është konfirmuar edhe viktima e parë. Qeveria polake është mbledhur për të vendosur gjendjen e fatkeqësisë. 

Banori çek Jan Prihoda e përshkroi situatën si të tmerrshme, duke vënë në dukje se ishte më e keqe se përmbytjet e vitit 1997. 

“Ne e shohim dëmin e tmerrshëm. Në vitin 1997 nuk ishte kështu këtu, ishte  thatësirë në këtë vend. Por tanimë situata është e tmerrshme.” 

Ndërsa lumenjtë në zonën kufitare çeko-polake kanë filluar të tërhiqen, përmbytjet po zgjerohen dhe të dyja shtetet janë vendosur në gatishmëri. Në Republikën Çeke lumi Morava ka dalë nga shtrati duke  detyruar autoritetet që të mbyllin shkollat dhe objektet shëndetësore. Mijëra zjarrfikës, oficerë policie dhe ushtarë janë vendosur në terren, ndërsa qeveria po punonte ende për të përcaktuar shkallën e dëmit. 

Në Rumani, përmbytjet vranë gjashtë persona gjatë fundjavës dhe një zjarrfikës austriak. Në Sllovaki dhe Budapest po përgatiten për më shumë përmbytje pasi niveli i lumit Danub po ngrihet. Më shumë se 260 mijë familje kanë mbetur pa energji në Republikën Çeke. Shkak u bënë erërat e forta që rrëzuan pemë mbi linjat e energjisë elektrike. 

Për shkak të rritjes së nivelit të ujit është evakuuar edhe një spital me 180 pacientë. Gjendja e fatkeqësisë natyrore është shpallur edhe në një zonë të Austrisë. Presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen, në një mesazh në X, dërgoi fjalë solidariteti për të prekurit nga përmbytjet dhe tha se BE do të ofrojë mbështetje. 

Në Austri, nivelet e lumenjve dhe rezervuarëve ranë gjatë natës pasi reshjet u zbutën, por zyrtarët thanë se po përgatiteshin për një valë të dytë pasi pritej shi më i madh në orët e ardhshme. Republikën Çeke dhe Poloninë, këto janë përmbytjet më të rënda në gati tre dekada. Stuhia Boris vjen pas një fillimi të nxehtë të shtatorit në rajon.