Kompania amerikane Meta, e cila zotëron Facebook, Instagram dhe WhatsApp, njoftoi të hënën, se po ndalon mediat shtetërore ruse të hyjnë në platformat e saj në mbarë botën për të shmangur çdo “ndërhyrje të huaj”.

Ky ndalim u njoftua pak ditë pasi Sekretari Amerikan i Shtetit Anthony Blinken denoncoi aktivitetet destabilizuese të medias ruse Russia Today (RT), e cila, siç tha ai në mënyrë karakteristike, është kthyer në një “degë” të shërbimeve të inteligjencës ruse.

Pas shqyrtimit të kujdesshëm, ne zgjeruam veprimet tona kundër mediave shtetërore ruse. Rossiya Segodnya, RT dhe subjekte të tjera janë tashmë të bllokuara nga platformat tona në mbarë botën për shkak të veprimeve të ndërhyrjeve të huaja”, tha Meta në një deklaratë.

Rreth 15 ditë më parë, autoritetet amerikane shpalosën një sërë masash që synojnë kryesisht mediat ruse, duke përfshirë akuzat penale dhe sanksionet, për t’u marrë me përpjekjet për të ndërhyrë në zgjedhjet amerikane, për të cilat ata fajësojnë Rusinë.

RT, e cila filloi veprimtarinë në vitin 2005, konsiderohet nga perëndimorët si një organ propagandistik i Kremlinit.

Nga ana e tij, rrjeti ka komentuar me ironi veprimet amerikane dhe ka akuzuar SHBA-në se e pengon atë të funksionojë si organizatë gazetareske.

Në një postim në Telegram të premten, zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme ruse Maria Zakharova komentoi: “Unë mendoj se një profesion i ri duhet të krijohet në SHBA: specialist në sanksionet kundër Rusisë”.