Gjigandi amerikan i teknologjisë Microsoft ka njoftuar një valë të re shkurtimesh, duke eliminuar 4,800 vende pune në mbarë botën, ose rreth 2.1% të fuqisë së tij punëtore globale, me efekt të menjëhershëm.

Sipas kompanisë, 1,600 nga këto vende pune do të shkurtohen menjëherë në divizionin e lojërave video Xbox, si pjesë e një procesi të gjerë ristrukturimi pas rezultateve financiare zhgënjyese. Microsoft planifikon të eliminojë edhe 1,600 vende të tjera pune në Xbox deri në fund të vitit fiskal 2027, duke e çuar në 6,400 numrin total të vendeve të punës që do të preken në këtë sektor.

Pjesa tjetër e shkurtimeve do të prekë ekipet komerciale të kompanisë.

Në një postim në blogun zyrtar, Microsoft theksoi se këto largime nga puna nuk do të zëvendësohen nga sistemet e Inteligjencës Artificiale, duke hedhur poshtë spekulimet se automatizimi është arsyeja kryesore e vendimit.

Kompania bëri të ditur gjithashtu se mbi 30% e punonjësve që kishin të drejtë të largoheshin së fundmi zgjodhën të përfitojnë nga një program vullnetar daljeje në pension.

Valët e fundit të shkurtimeve pasqyrojnë përpjekjet e Microsoft për të riorganizuar aktivitetin dhe për të optimizuar kostot, ndërsa kompania vazhdon investimet në teknologjitë e reja dhe zhvillimin e Inteligjencës Artificiale.