Policia e Vlorës ka nisur procedimin penal ndaj dy administratorëve firmash, pasi janë kapur duke marrë materiale nga shtrati i lumit Shushicë pa leje nga organet kompetente.
Të ndaluarit janë: Fatmir Hodaj, 58-vjeç dhe Vasil Dema, 39-vjeç. Mësohet se dy administratorët e firmave përkatëse nuk kishin marrë leje nga organet kompetente në mënyrë që të merrnin materialet nga lumi.
Gjithashtu është proceduar penalisht edhe Arjan Hoxha, 47-vjeç, me detyrë inspektor i IKMT Vlorë, pasi nuk ka kryer kontrolle të vazhdueshme për të dokumentuar shkeljen që po bëhej në lumin e ‘Shashicës’.
Njoftimi i policisë:
DVP Vlorë
Merrnin materiale nga shtrati i lumit Shushicë, pa leje nga organet kompetente, procedohen penalisht 2 administratorë firmash.
Procedohet penalisht dhe një shtetas tjetër, për shpërdorim detyre.
Në kuadër të zbatimit të planit të masave për parandalimin dhe goditjen e krimeve mjedisore, në vijim të kontrollit të ushtruar për mbrojtjen e territorit, në lumin Shushicë janë konstatuar disa automjete që po gërmonin shtratin e këtij lumi. Për këtë rast, specialistët për Hetimin e Krimeve Ekonomiko Financiare kanë proceduar penalisht shtetasit:
Fatmir Hodaj, 58 vjeç, banues në Vlorë dhe Vasil Dema. 39 vjeç banues në fshatin Bunavi, Vlorë.
Këta shtetas u proceduan pasi në vendin e quajtur “Kthesa e Picarit”, në shtratit e lumit Shushicë, u konstatuan disa automjete të rënda të dy firmave të ndryshme të administruara prej tyre, duke marrë materiale inerte (zhavorr) pa lejet përkatëse mjedisore, me qëllim tregtimin e tyre pa dokumentacionin tatimor përkatës.
Në vijim të veprimeve, nga specialistët për Hetimin e Krimeve Ekonomiko-Financiare u procedua penalisht për veprën penale “Shpërdorim i detyrës”, shtetasi Arjan Hoxha, 47 vjeç, me detyrë inspektor i IKMT Vlorë, pasi dyshohet se nuk ka kryer kontrolle të vazhdueshme për monitorimin e territorit.
Materialet iu referuan prokurorisë, për veprime të mëtejshme.





