-Identifikimi sa shumë vështirësi, por detyrim të respektosh secilin prej tyre

-Shkolla e fizkulturës apo sportive aset i çmuar për durrsakët

Pamja të çon në periudhën 1974-76

BUJAR QESJA

Sa e vështirë qenka, ta bësh historinë nëpërmjet fotosh. Dilema çfaqet dhe pengesa me vështirësi mund ta kalohet, kur zbërthejmë foto të para 50 viteve. Po në rastet e më tutjeshme, enigmat dhe vështirësitë bëhen gati të pakalueshme.

Hëngra inat me një foto, që u publikua papritur. Pamje me shumë mall, veçanërisht për brezin tim. Por vlera ra, jo nga njerëzit që janë fiksuar aty, por nga mungesa e emrave dhe mbiemrave të tyre. Pamja të çon, në kolektivin pedagogjik të shkollës së mesme të mjeshtërisë sportive “Bernardina Qerraxhia” të Durrësit, që në popull njihet thjesht shkolla e fizkulturës.

Në sfondin e një gjelbërimi tërheqës, 25 mësues dhe mësuese fiksojnë papritur, historinë e viteve të para të shkollës kombëtare të mjeshtërisë sportive. M’u në mes, është drejtori Kristaq Miço, të cilit duhet t’i njohim meritat e përpjekjeve të jashtëzakonshme, për krijimin e klasave sportive me disa profile. Dhe pas nismës së krijimit të tyre, u kalua në përpjekjen më serioze. U krijua shkolla e mesme e mjeshtërisë sportive të Durrësit. Profilet në mos gaboj ishin në atletikë, basketboll, gjimnastikë dhe boks. Për secilën displinë, u thithën forcat më të kalifikuara të qytetit dhe shumë të njohur në opinion.

Sivia e secilit prej tyre, garantonte apo siguronte suksesin. Kjo në llojet e sporteve. Por edhe në formimin e përgjithshëm, mësuesit e kësaj mjeshtërie sportive ishin pikant dhe me biografi të pasur mësimore. Fotoja që kaloi si pa u vënë re, vuante nga më themelorja: mungonin emrat dhe mbiemrat e atyre që e konturonin pamjen. Pyetja e parë që të godiste në mëndje ishte:
Cilët janë aty? Për kë bëhet fjalë? Çfarë historie kanë? Veçanërisht brezi i sotëm, është në domosdoshmëri për t’u njohur, thjesht edhe për të prekur identifikimin dhe traditën.

E kqyra me shumë vëmëndjen foto. M’u ngjallën shumica prej tyre. Zanati im më ndihmonte të njihja jo pak. Por zanati gjithashtu më ngacmonte: kështu do ta lini këtë foto pa kokë dhe pa këmbë!? Secili ka historinë e tij dhe të gjithë së bashku përbëjnë historinë tonë të sporteve, të njërës prej shkollave më të spikatura të profilit në Shqipëri.

Dhe fatmirësisht kjo shkollë, është ende në Durrës dhe po bëhet shumë moderne siç e meriton. Por ajo që se meriton është, të mos i bësh të njohur dhe të prekësh prezencën e tyre të paktën, për t’i vendosur emrin dhe mbiemrin. Po të ishte e lehtë, do ta kishte bërë më parë ai apo ajo, që e publikoi këtë pamje.

Në këtë që quhet profesioni im, kam kaluar shumë sfida, shumë më të vështira se kaq. Keqardhja bashkohej me përpjekjen, për të bërë diçka që njerëzit e fotos, e cila është në dilemën e vitit, por që Keti Paramoni e vendos pa mëdyshje në vitin 1976. I bie që aparati të jetë shkrepur 48 vite të shkuara, gati gjysëm shekulli. Para vetes ngrita pyetjen: Sa e vështirë është të identifikosh një pamje para 48 vitesh, po për shumë kohë më tutje sa vuajtje duhet të kalosh?

Pyeta e çfarë nuk pyeta. Dhe them se ia dola. Nëse mendohet që nuk është kështu, atëherë le të mbërthejmë diskutimet dhe të hapim debatin. Por jam i bindur, se duke pyetur e gjeta Stambollin e kësaj pamje të rrallë, të bukur, të respektuar, ku duhet të ngrihemi në këmbë për të nderuar secilin prejt tyre, por veçanërisht disa të merituar.

Vështirësia tjetër qendronte, që krahas emrave të duhet me ditë se jetojnë apo jo. Me këtë demografi njerëzore të kohës së sotme, hajde gjeje se cilët jetojnë apo jo. Dyshime kemi për disa, por në shtatë çfaqim siguri. Ata janë Shefqet Ferri, Idriz Çinari, Dashamir Kërtusha, Dilaver Hasimi apo Çoba, Arto Zaharjan, Melek Kalamishi dhe Hektor Milla. Çfarë emrash na mungojnë!

Idriz Çinari monument i atletikës durrsake. Nuk krijoi familje pasi u dashurua përjtetësisht, derisa mbylli sytë me atletikën. Pedagog si ai! Trajner si ai! Pasionant dhe i zellshëm si ai! Po Dashamir Kërtusha? Gjimnast klasi. Deli djalë. Portreti i tij, mbetet në sfondin më të shkëlqyer të sportit durrsak. Iku shumë i ri. Eh Dash Kërtusha!

Po Shefqet Ferri! Emër i madh i atletikës dhe pedagogjisë sportive. Po kështu Hektor Milla, që kur luante basketboll me “Lokomotivën”, për ta dalluar nga i famshmi Salvator Sotiri, i thonin “Tori i Vogël”. Do të mbetet gjithnjë i pazbehur, portreti i mjeshtrit të matematikës, të mirnjohurit Melek Kalamishi. Dilaver Hasimi na e mori kovidi, kur kishte vendosur të jetonte në Itali. Qamë me shpirt për këtë humbje. Edhe Arto Zaharjan është me merita, armeni i njohur i Durrësit, që ndihmoi shumë në përhapjen e volejbollit në rininë shkollore dhe më gjërë.

Në foto janë fiksuar edhe emra që janë pranë nesh. Kështu për Eqerem Bylykbashin, atlet, traajner dhe mësues, Petrit Kërtusha që trajnoi për disa vite kampionen e botës në hedhjen e shtizës Mirela Manjani, gjimnasten Lindita Laçi, pianisten virtuoze Keti Paramoni, gjimnastin Fatmir Zeneli, që për disa vite drejtoi edhe Klubin Shumësportesh “Lokomotiva”. Lindita Laçi që rininë ia kushtoi gjimnastikës dhe dha përvojën e saj të madhe edhe tek nxënësit.

Aty është edhe mjeshtri i basketbollit, shumëkërkuesi Dhimitër Ciri. Dhe zejnë vendin e merituar edhe mësuesit Skënder Rama, Dhurata Shemsi, Pajtesa Qerisha, Mina Veshi, Agron Meçe, mësueset zëvëndësuese Vali Bixheku dhe Liri Gjinali, financieri Thoma Gjerjazi, ushtaraku Hajdar Koçiu, Servete Kadiu kujdestare konvikti. Kapitull më vete është edhe Ibrahim Kurtbegovi, që ndonëse jepte lëndën e matematikës, ishte mjeshtër i lojës së basketbollit.

Vlerë përmbi vlerë mbetet Kristaq Miço, jo thjesht në rolin e drejtorit, por edhe të përkushtuesit dhe vetmohuesit, për t’i dhënë sporteve dhe organizimit të tyre fuqinë e pasionit dhe të shembullit. Kristaq Miço drejtoi për disa kohë edhe Komitetin e Kulturës Fizike dhe Sporteve të Rrethit të Durrësit dhe Federatën Shqiptare të Futbollit, duke mbetur gjithnjë pjesë e patjetërsueshme i Durrësit të tij.

Në këtë fiksim historik, mungojnë mësuesja e njohur e letërsisë, shkrimtarja Suzana Katro, e cila si pasojë e një sëmundje të pashërueshme është ndarë nga jeta në Itali. Mungon gjithashtu edhe Mrika Çollaku, që drejtonte sektorin ushtarak të shkollës.

25 njerëz në një foto. 25 kapituj, që dhanë shembullin në edukimin pedagogjik dhe sportiv të nxënësve të asaj periudhe, duke përgatitur jo vetëm të ardhmen, por edhe sportistë dhe fizkulturiste me emër. Ishte detyrim t’ua gjenim dhe t’i çfaqnim kësisoj, emrat dhe mbiemrat e tyre. Tani jo vetëm ne jemi të qetë, pasi përmbushëm detyrë fisnike, historike dhe qytetare, por edhe ata të gjallë dhe jo të tillë, ndjehen në të drejtën e tyre.

Kështu duhet të veprojmë ngahera, nëse duam të shkruajmë historinë, ashtu siç duhet dhe siç është. Dhe argumenti është ky shkrim i tanishëm. Kujtesën duhet ta mprehim, sa herë dhe sa kohë jemi në raport me detyrimet dhe historinë. Qoftë kjo edhe nga një foto në pamje e thjeshtë, por në brendësi histori e fiksuar.

Bujar Qesja
Durrës: 17 shtator 2024

Në pamje, kolektivi mësues i shkollës së mesme të mjeshtërisë sportive “Bernardina Qerraxhia” të Durrësit, viti 1976.

Në rradhën e parë ulur majtas: Hajdar Koçiu, magazinjer ushtarak, Hektor Milla mësues në lëndën e basketbollit (nuk jeton), Skënder Rama nëndrejtor lënda e matematikës, Kristaq Miço drejtor i shkollës, lënda e edukimit fizik dhe metodikë e edukimit fizik, Servete Kadiu kujdestare konvikti, Mina Veshi lënda e rusishtes, Shefqet Ferri, mësues atletike (nuk jeton).

Rreshti i dytë, nga e majta: Agron Meçe lënda rusisht, Dilaver Hasimi mësues gjimnastike (nuk jeton), Ibrahim Begovi mësues matematik-fizikë, Melek Kalamishi mësues matematike (nuk jeton), Thoma Gjerazi financier, Fatmir Zeneli mësues gjimnastike, Idriz Çinari mësues atletike (nuk jeton), Vali Bixheku, Dhurata Shemsi mësuese e njohuri fillestare politike, Keti Paramoni pianiste, Pajtesa Qerisha mësuese kimi, Liri Gjinali, Lindita Laçi mësuese e gjimnastikës.

Rreshti sipër, nga e majta: Arto Zaharjan mësues volejbolli (nuk jeton), Petrit Kërtusha lënda e atletikës, Dhimitër Ciri lënda e basketbollit, Eqerem Bylykbashi lënda e atletikës, Dashamir Kërtusha lënda e gjimnastikës (nuk jeton).