Kandidati republikan për president të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, i është kthyer aktiviteteve të fushatës zgjedhore për herë të parë që prej një përpjekjeje të dytë për vrasjen e tij.

Trump është lavdëruar më 17 Shtator se “vetëm presidentëve të rëndësishëm iu bëhet atentat”, teksa ka përshëndetur kundërshtaren e tij, kandidaten demokrate Kamala Harris, për kujdesin e treguar përmes një telefonate, raporton AFP.

Ish-presidenti amerikan ka folur në një tubim para mbështetësve të zjarrtë në Flint, një qytet industrial që dikur ishte qendër e industrisë automobilistike amerikane në qytetin e luhatshëm të Miçiganit, para se fabrikat të mbylleshin për shkak të konkurrencës së jashtme.

Trump është munduar të lidhë atë që Byroja Federale amerikane e Hetimeve (FBI) e ka cilësuar si përpjekje të penguar për vrasjen e tij të dielën, në fushën e tij të golfit në Florida, me zotimin e tij për të vendosur tarifa të larta ndaj importit të automjeteve nga Meksika dhe nga Kina.

“Dhe pastaj habiteni pse sulmohem me armë… E dini që vetëm presidentëve të rëndësishëm iu bëhet atentat”, u shpreh ai.

Kandidati republikan ka thënë se njeriu që dyshohet se u përpoq ta vriste atë ishte ndjekës i asaj që ai e ka quajtur retorikë e presidentit Joe Biden dhe e Harrisit që ngulmon se Trump përbën rrezik për demokracinë amerikane.

Rivalja zgjedhore e Trumpit, nënpresidentja aktuale amerikane, Harris, e cila bëri fushatë në një shtet tjetër të luhatshëm, Pensilvani, tha të martën se ka kontaktuar ish-presidentin pas sulmit të parandaluar.

“Bisedova me të për të parë se si është. Dhe, i thashë atij atë që e kam thënë publikisht – nuk ka vend për dhunë politike në vendin tonë”, u shpreh Harris në një intervistë për Asociacionin Kombëtar të Gazetarëve me Ngjyrë.

Shtëpia e Bardhë e ka përshkruar bisedën Harris-Trump si “të përzemërt dhe të shkurtër”. Trump ka thënë se Harris “ishte aq e mirë”. /REL