Krijuesit e lojës “The Sims” kanë konfirmuar se ka nisur puna për një film të bazuar mbi videolojën e famshme.
Lajmet se do të ketë një përshtatje të lojës që simulon jetën reale e cila u prezantua për herë të parë në vitet 2000, kanë qarkulluar prej muajsh.
Electronic Arts (EA) që e prezantoi lojën, njoftoi se po bashkëpunon me Amazon MGM Studios për këtë film. Është konfirmuar edhe përfshirja e LuckyChap, kompanisë së Margot Robbie dhe regjisores së filmit “Loki”, Kate Herron. Komediania Briony Redman do të jetë bashkëskenariste e filmit, tha EA.
Gjiganti i lojërave tha se është “ende herët për të thënë më shumë”, por premtoi për lajme të reja vitin e ardhshëm që shënon edhe 25-vjetorin e The Sims.
Lojtarët e saj udhëheqin personazhet e quajtur Sims duke kontrolluar aspekte të ndryshme të jetës së tyre. Loja përditësohet rregullisht dhe krijuesit kanë prezantuar elemente të reja, marrëdhënie të ndryshme e madje një herë, lojtarët mund t’i kthenin Sims në vampirë.
Vitin e shkuar, Margot Robbie ishte protagoniste e filmit “Barbie” që shënoi një nga sukseset më të mëdha në arkat globale. Aktualisht ajo po punon në një përshtatje të Monopoly.
“Ne duam të prodhojmë më shumë filma që kanë efektin e ‘Barbie’. Pse s’mund të jetë një tjetër ide e madhe, origjinale, e guximshme ku ne marrim një regjisor fantastik, një buxhet të madh për të luajtur dhe besimin e një konglomerati gjigant pas tyre që vërtet të krijojmë? Këtë dua të bëj”, tha aktorja në një intervistë në muajin shkurt për “Variety”.