Policia e Durrësit njofton se ka arrestuar një 27-vjeçar, i cili ishte shpallur në kërkim për veprat penale “Vrasja me paramendim” kryer në bashkëpunim dhe “Armëmbajtja pa leje”.
Bëhet fjalë për ngjarjen e ndodhur më 18 shtator 2020 në lagjen nr.13, Plazh ku pas një sherri masiv të çastit mbeti i vdekur 39-vjeçari Armando Baboçi. Të plagosur mbetën djali i viktimës Erald Gjini si dhe një nga autorët e arrestuar më herët, shtetasi Henri Tatasi.
Nga burimet zyrtare mësohet se në pranga ka përfunduar 27-vjeçari Anxhelo Boçi, banues në Tiranë.
NJOFTIMI I POLICISË
Strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë Durrës, në vijim të punës për zbardhjen e plotë të ngjarjeve të ndodhura më parë dhe kapjen e personave të shpallur në kërkim, me qëllim vënien e tyre para përgjegjësisë ligjore, ndaluan shtetasin:
Anxhelo Boçi, 27 vjeç, banues në Tiranë.
Ky shtetas dyshohet se është i përfshirë në ngjarjen e ndodhur më datë 18.09.2020, në lagjen nr. 13, Plazh, Durrës, ku pas një konflikti të çastit me mjete të forta dhe më pas me armë zjarri mbetën të plagosur shtetasit E. Gj., 19 vjeç, H. T., 23 vjeç dhe shtetasi A. B. (Gj)., 39 vjeç, i cili si pasojë e plagëve të mara ndërroi jetë në Spitalin Rajonal Durrës.
Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës, për veprime të mëtejshme.





