Shtetet e Bashkuara po dërgojnë një numër të vogël trupash shtesë në Lindjen e Mesme pas një intensifikimit të luftimeve mes Izraelit dhe militantëve të Hezbollahut në Liban, tha të hënën zëdhënësi i Pentagonit, gjeneralmajori Pat Ryder.
Zoti Ryder nuk dha hollësi të tjera mbi numrin e forcave apo rolin e tyre në Lindjen e Mesme.
Megjithatë, një zyrtar i lartë amerikan i tha Zërit të Amerikës se mund të bëhet fjalë për dhjetëra trupa dhe detyra e tyre kryesore do të jetë përgatitja për një evakuiim të mundshëm të qytetarëve amerikanë, nëse do të shpërthente një luftë më e madhe rajonale.
Një zyrtar tjetër amerikan theksoi se situata nuk ka arritur ende në pikën kur një evakuuim me ndihmën e ushtrisë i shtetasve amerikanë nga rajoni është i nevojshëm.
Nëse nevojitet një evakuiim i qytetarëve amerikanë, mund të përdoret një kontigjent i marinsave amerikanë, që tashmë ndodhet atje dhe mund të realizojë këtë detyrë, i tha Zërit të Amerikës një tjetër zyrtar. Të gjithë folën në kushte anonimiteti.
Zoti Ryder, në përgjigje të një pyetjeje të Zërit të Amerikës të hënën, u tha gazetarëve se Pentagoni është një “organizatë planifikuese” që është e përgatitur për një “një numër të madh të rastësive”, nëse kërkohet ndihma e ushtrisë amerikane.
“Ne kemi prani më të madhe në rajon sot se sa më 14 prill, kur Irani kreu sulmin e tij me dron dhe raketa kundër Izraelit”, tha ai.
Njoftimi pason sulmet izraelite ndaj pozicioneve të Hezbollahut brenda Libanit, në të cilat u vranë qindra njerëz. Departamenti i Shtetit ka paralajmëruar qytetarët amerikanë që të largohen nga Libani për shkak të rritjes së rrezikut të një lufte rajonale./VOA