Një grua gjermane dhe nipi i saj pesë muajsh, janë zhdukur pasi një përmbytje përfshiu shtëpinë e tyre pranë Pizës, Itali.

Familja e pushuesve, siç raporton BBC, thuhet se ka thirrur shërbimet e urgjencës të hënën mbrëma kur lumi Sterca, pranë banesës së tyre, ka dalë nga shtrati dhe uji ka filluar të hyjë në shtëpi.

Mediat lokale raportuan se gjuha dhe kushtet e pafavorshme vonuan gjetjen e familjes, e cila tentoi të ngjitej në katet e sipërme të shtëpisë.

Megjithatë, ndërsa ata e bënë këtë, foshnja ra në ujë dhe gjyshja e foshnjës u mor nga lumi teksa ajo u përpoq ta shpëtonte.

Anëtarët e tjerë të familjes, gjyshi dhe prindërit e foshnjës, arritën të shpëtonin dhe më pas u shpëtuan në çati.

Më shumë se 100 zjarrfikës tani janë duke kërkuar për gruan dhe foshnjën në mes të shkatërrimit të shkaktuar nga përmbytjet.

Zjarrfikësit thonë se lumi u fry tepër shpejt dhe se vala që përfshiu shtëpinë e familjes ishte 2.5 metra e lartë.

Zona përreth është goditur nga reshje të dendura shiu që nga e hëna, ku kushtet pritet të mbeten të këqija deri në fund të së mërkurës.