Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, tha se presidenti rus, Vladimir Putin, po planifikon që të sulmojë centralet e energjisë bërthamore dhe infrastrukturën në Ukrainë, me qëllim që t’i shkëpusë uzinat nga rrjeti elektrik.

Duke folur në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, Zelensky tha se një raport tjetër alarmues thotë se Rusia po përdor satelit për të mbledhur imazhe dhe informacione të detajuara për infrastrukturën bërthamore të Ukrainës.

“Çdo sulm raketor apo me dron, çdo incident kritik në sistemin e energjisë mund të çojë në katastrofë bërthamore”, tha ai.

Moska “duhet ta kuptojë këtë, dhe kjo varet pjesërisht nga vendosmëria juaj për t’i bërë presion agresorit”, tha ai gjatë tubimit vjetor në Nju Jork.

“Larg qoftë, por nëse Rusia shkakton katastrofë bërthamore në një nga centralet tona bërthamore, rrezatimi nuk do të njohë kufij”, tha ai.

Zelensky u bëri thirrje udhëheqësve botërorë që të vazhdojnë të mbajnë në krye të agjendës së tyre luftën e shtetit të tij kundër pushtimit të nisur nga Rusia dhe paralajmëroi se Putini synon të marrë më shumë territor.

“Mendoj se çdo lider, çdo shtet që na mbështet… e sheh se si Rusia, një shtet mbi 20 herë më i madh se Ukraina me territor, dëshiron më shumë tokë”, tha ai.