Greqia dhe Turqia janë duke shqyrtuar fillimin e bisedimeve për të përcaktuar vijat kufitare në zonat detare, tha të mërkurën Ministria e Jashtme e Greqisë.
Dy vendet fqinje, anëtare të NATO-s, kanë mosmarrëveshje prej dekadash për një sërë çështjesh, nga hapësira ajrore, deri te juridiksioni detar në Mesdheun lindor dhe Qipron e ndarë sipas vijave etnike.
Një marrëveshje se ku fillojnë dhe mbarojnë zonat e tyre detare është e rëndësishme për përcaktimin e të drejtave mbi rezervat e mundshme të gazit.
Tensionet janë zbutur vitet e fundit dhe të dy vendet ranë dakord vitin e kaluar të mbajnë kanale të hapura komunikimi dhe të punojnë për çështjet që kanë shkaktuar mosmarrëveshje.
Kryeministri grek Kyriakos Mitsotakis dhe presidenti turk Tajip Erdogan u takuan të martën gjatë punimeve të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara në Nju Jork. Ata diskutuan për lidhjet dypalëshe, sipas deklaratave nga presidenca turke dhe ministria e jashtme greke.
“Të dy vendet ngarkuan ministrat e jashtëm të shqyrtojnë nëse kushtet janë të favorshme për të nisur diskutimet mbi përcaktimin e vijave kufitare në zonat detare”, tha ministri i jashtëm grek George Gerapetritis.
Ministrat e Jashtëm nga të dy vendet do të fillojnë përgatitjet për një takim të nivelit të lartë që do të zhvillohet në Ankara në muajin janar, tha zyra e kryeministrit grek./VOA