Kandidati republikan për president amerikan, Donald Trump, e ka akuzuar presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky se po merr miliarda dollarë nga Shtetet e Bashkuara dhe, njëkohësisht, nuk po pranon ta “bëjë një marrëveshje” për t’i dhënë fund pushtimit të Ukrainës nga Rusia.
Trump, i cili e ka kritikuar ashpër Uashingtonin për furnizimin e Kievit me ndihma, tha se Ukraina është dashur të bënte lëshime para presidentit të Rusisë, Vladimir Putin, në muajt para se Rusia ta niste pushtimin e plotë të saj në shkurt të vitit 2022.
“Çfarëdo marrëveshje – qoftë më e keqja – do të kishte qenë më e mirë se çfarë kemi tani”, tha Trump.
“Nëse ata do të bënin marrëveshje të keqe, prapëseprapë do të kishte qenë më mirë se tani. Ata do të kishin hequr dorë nga pak gjëra dhe të gjithë do të jetonin, dhe çdo ndërtesë do të ishte e ndërtuar, dhe çdo kullë do të jetonte edhe 2.000 vjet”, tha Trump.
Trumpi i bëri këto komente gjatë një tubimi zgjedhor në Karolinën Veriore, ndërkohë që Zelensky po merrte pjesë në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara në Nju Jork, para vizitës në Uashington më 26 shtator, ku presidenti Joe Biden pritet të njoftojë për ndihmë të re për Ukrainën.
Trump shpesh ka pretenduar se Rusia nuk do ta kishte pushtuar Ukrainën, nëse ai do të kishte qenë president i SHBA-së dhe se ai do t’i jepte fund luftës shpejt, nëse do të kthehej në Shtëpinë e Bardhë.
Megjithatë, ai nuk ka dhënë asnjë shpjegim të qartë se si do ta arrinte këtë.
Në një debat më herët këtë muaj me kandidaten demokrate, nënpresidenten Kamala Harris, Trump refuzoi të thoshte nëse dëshironte që Ukraina të fitonte luftën.
Rusia dhe Ukraina zhvilluan disa negociata para se Moska ta niste pushtimi e plotë në shkurt 2022, por Kievi i hodhi poshtë kërkesat e paraqitura nga Moska, që përfshinin njohjen e aneksimit të paligjshëm të Krimesë nga Rusia dhe entiteteve të kontrolluara nga separatistët në Luhansk dhe Donjeck.
Duket se Trumpi i bëri këto komente si përgjigje ndaj komenteve të Zelenskyt në një intervistë për New Yorker, në të cilën ai tha se Trumpi “nuk di vërtet se si ta ndalojë luftën, edhe nëse mund të mendojë se e di”.
Trump theksoi se Zelensky ndodhet në Shtetet e Bashkuara dhe tha se po bën “disa shpifje të vogla të liga drejt presidentit tuaj të preferuar, meje”.
Ai gjithashtu e përshkroi Ukrainën si një vend të shkatërruar, përjashtuar Kievin, i cili ka mungesë ushtarësh dhe vuri në dyshime nëse ajo ka ndonjë përparësi për të negociuar fundin e luftës.
“Çfarë marrëveshje mund të bëjmë? Ajo [Ukraina] është shkatërruar. Njerëzit janë të vdekur. Vendi është në rrënoja”, tha ai.
Zelensky ka thënë se do t’ia paraqesë Bidenit atë që ai e quan një plan për fitoren në luftë, i cili pritet të përfshijë një kërkesë për leje për t’i përdorur armët me rreze të gjatë veprimi me të cilat Shtetet e Bashkuara e furnizojnë atë.
Është raportuar se një takim mes Trumpit dhe Zelenskyt do të zhvillohet në Nju Jork, por ai pritet të anulohet, sipas mediave amerikane./REL