Kryetarja e Komisionit për Çështjet Evropiane, Jorida Tabaku ka shtyrë mbledhjen e parashikuar për tu mbajtur ditën e sotme për shkak të zhvillimeve lidhur me çështjen e dënimi nga Gjykata e Apelit për kallëzim të rremë të deputetit demokrat Ervin Salianji.
Më herët u raportua se Këshilli i Mandateve refuzoi kërkesën e PD-së për mbledhjen urgjente për çështjen e Salianjit. Ndërkohë Prokuroria e Tiranës caktoi mëngjesin e së premtes me short prokuroren që do t’i kërkojë policisë ekzekutimin e vendimit të gjykatës së Apelit.
Salianji është dënuar së bashku me Albert Veliun, që pritet të vuaj dënimin me 10 muaj burg si dhe gazetarin Jetmir Olldashi me 100 orë punë komunitare. Apeli në vendimin e sotëm, ka lënë në fuqi vendimin e Gjykatës së Shkallës së Parë në Tiranë.
Shkalla e parë vendosi që Salianji të dënohet për kallëzim të rrëmë, në lidhje me një denoncim që ka bërë për vëllanë e ish-Ministrit të Brendshëm Fatmir Xhafa, Agron Xhafa. Në audio-përgjimin që publikoi Salianji, thuhej se Agron Xhafa ishte pjesë e një rrjeti kriminal të trafikut të lëndëve narkotike.