Policia Bashkiake Durrës ka zhvilluar një aksion për ndëshkimin me masë administrative të të gjithë subjekteve apo qytetarëve, që me veprimet e tyre të papërgjegjshme shkaktojnë ndotje mjedisore në zona të ndryshme të qytetit bregdetar.

Aksioni është zhvilluar në bashkëpunim me Ndërmarrjen Komunale Plazh dhe Ndërmarrjen e Shërbimeve Komunale.

Njëkoëhësisht, në bashkëpunim me Policinë e Shtetit kanë nisur disa procedime penale ndaj subjekteve dhe individëve përgjegjës në rastet kur veprimet e tyre përbëjnë vepër penale.

Të gjitha shkeljet mjedisore janë konstatuar përmes pamjeve filmike të kamerave të vendosura pranë pikave të grumbullimit të mbetjeve urbane.

Për të evituar përsëritjen e shkeljeve nga ana e subjekteve private apo qytetarëve, Policia Bashkiake Durrës përmes postimit në rrjete sociale, rikujton oraret e hedhjes së mmbeturinave si dhe procedurat që duhet të ndiqen në rast se bëhet fjalë për mbetje inerte.

“I rikujtojmë të gjithë qytetarëve dhe subjekteve:

Subjektet tregtare dhe subjektet e tjera duhet të kryejnë hedhjen e mbetjeve urbane vetëm në pikat dhe vendet e përcaktuara dhe brenda orarit 23:00–04:00.

Familjarët duhet t’i depozitojnë mbetjet vetëm në koshat dhe pikat e përcaktuara nga Bashkia Durrës, duke respektuar mënyrën dhe rregullat e shërbimit të pastrimit.

Subjektet që gjenerojnë lloje të tjera mbetjesh, përveç mbetjeve urbane, duhet të marrin masat për lidhjen e kontratave me subjektet e licencuara për grumbullimin dhe evadimin e tyre, në përputhje me legjislacionin në fuqi.

Mbetjet inerte të krijuara nga punimet, rikonstruksionet apo ndërhyrjet në banesa nuk duhet të hidhen në koshat e mbetjeve urbane familjare. Për to duhet të sigurohet grumbullimi dhe transporti në përputhje me rregullat përkatëse.

Njëkohësisht, bëjmë të ditur se pikat e grumbullimit të mbetjeve urbane janë nën mbikëqyrje kamerash 24 orë në ditë. Çdo veprim i kundërligjshëm identifikohet, dhe të pasohet nga marrja e masave administrative apo procedurale sipas rastit”,– shkruan Policia Bashkiake.