Episodi i 12 i podkastit “Fol me Anila Hoxhën” në Top Albania Radio, projekt i qendrës “Fol” nën mbështetjen e zyrës së Marrëdhënieve me Publikun në ambasadën Amerikane Tiranë, titullohet “Mundësia e dytë”.
A ka apo jo një mundësi të dytë dhe cilat janë pasojat që e presin këdo që mbyll një kapitull me gjykatat dhe ligjin? Dhe si rastin tipik ju sjellim rastin e një fëmije, i cili pasi u arrestua në 2006 duke vjedhur, vendosi të bëhet prokuror.
I frymëzuar ndoshta nga prokurori që e hetoi kur ishte fëmijë, Shiqiri Manjani ndryshoi rrugë nga ky çast. Ai studioi dhe e arriti ëndrrën e tij, u shpall fitues në Shkollën e Magjistraturës.
Por më pas me një formular dekriminalizimi përpara, ai kuptoi se e kaluara do ta ndjekë gjithë jetën ndonëse është rehabilituar me ligj.
Meqënëse kushdo që fiton Magjistraturën kontrollohet nga Këshillat, Manjani shkroi mbi fëmijërinë e tij dhe aty pa se si u skualifikua menjëherë. Duke humbur të drejtën për t’u bërë prokuror, 33 vjeçari iu drejtua gjykatave, midis tyre edhe Kushtetueses të cilës i kujtoi se ka qenë i mitur në kohën kur është hetuar dhe se është një shtetas i rehabilituar. Por Gjykata Kushtetuese vlerëson se kushdo që hyn në drejtësi pritet që të jetë i virtytshëm një kriter që kandidati nuk e përmbushi për kriterin e pastërtisë. Rasti “Manjani” ka ngritur pikëpyetje mbi koncepte si rehabilitimi. Për më tepër kur në Shqipëri numri i shtetasve të dënuar është mjaft i lartë. Zyrtarisht Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve thotë për Qendrën “FOL” se nga 1990 e deri më tani janë dënuar dhe për pasojë kanë bërë burg 380 mijë shtetas.
Jemi në studio me gjyqtarin administrativ zotin Bezart Kaçkini, ku dhe do të flasim jo vetëm për rehabilitimin, por edhe për kërkesat e qytetarëve që iu drejtuan kësaj gjykate pasi në dëshmitë e tyre të penalitetit përshkruhej e gjithë e kaluara e tyre. Do flasim edhe për dekriminalizimin.
Anila Hoxha: Faleminderit që pranuat ftesën tonë për të folur për një temë të tillë sa sensibilizuese por gjithashtu edhe domethënëse. Ne morëm shkas dhe ju e ndoqët historinë e shtetasit Shiqiri Manjani, një qytetar i cili fitoi me forcat e tij. Ishte modeli i të riut që studioi, doli me rezultate shumë të mira në shkollimin e tij dhe u kualifikua duke dalë fitues në Shkollën e Magjistraturës, për profilin prokuror. Gjatë kontrollit të tij të figurës, Këshilli i Lartë i Prokurorisë e skualifikon, pasi i kishte gjetur në të kaluarën e tij një “minus” të madh, në mënyrë të veçantë kur ai kishte qenë në moshë të mitur. Ai ishte shoqëruar gjatë kohës që kishte qenë fëmijë për një ngjarje dhe kjo siç kuptohet është historia që e përndjek atë.
Bezart Kaçkini: Mirëmbrëma edhe njëherë zonja Anila. Lidhur me rastin që referove më sipër më lejo të të theksoj se është fakt i njohur dhe i bërë publik edhe prej teje që tashmë është një rast i cili është zgjidhur përfundimisht nga gjykata,pra nga sistemi gjyqësor kombëtar. Mesa informacion kam ngelet që të shprehet Gjykata e të Drejtave të Njeriut në Strasburg. Nuk e kam të saktë informacionin në kushtet që është një vendim gjyqësor për të cilën është shprehur edhe Gjykata e Lartë, do të preferoja që mos t’a komentoja edhe për hir të pozicionit që kam, pozicionit zyrtar, por edhe për hir të raporteve njerëzore që më qëllon që familjen e tij e njoh.
Anila Hoxha: Kur konsiderohesh i rehabilituar? Pambarimisht të ndjekin këto dënime në raste se kryhen? Shoqërohesh për një ngjarje kriminale. Në rast se shpallesh fajtor dhe përfundon dënimin…
Bezart Kaçkini: Rehabilitimi është një institut i së drejtës penale , pjesë e këtij instituti të rehabilitimit është edhe vet koncepti i institucioneve të vuajtjes së dënimit, të cilat në thelb kanë riedukimin e të dënuarit, që ditën që ai të dalë nga institucioni ai të jetë i përshtatshëm me normat e shoqërisë. Pra, shoqëria sot përkundër të djeshmes ka interes që ta integrojë të dënuarin. Pra, nuk është në interesin e shoqërisë që kjo “njolla e dënimit” ta ndjekë këtë individ përjetësisht.
Anila Hoxha: Ata qytetarë që i drejtohen Gjykatës Administrative, pikërisht për këtë çështje mbasi gjendja e tyre gjyqësore del që ka qenë “i dënuar” dhe kjo mund ti pengojë ata në vazhdimin e jetës së tyre. Dhe për pasojë ti i vendos ata në një pozitë të paragjykuar ose deri diku t’ju mbyllë rrugët për të punësuar diku apo për perspektiva të tjera.
Bezart Kaçkini: Është një shqetësimin i drejtë. Ka patur një periudhë kohe po themi ndoshta gaboj po të vendos periudha,por mbi 5-6 vjeçare pas krijimit të Gjykatës Administrative që ka patur një fluks goxha të madh të individëve, të cilët i drejtoheshin Ministrisë së Drejtësisë, me kërkesë përkatësisht Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve për të marr një dëshmi të penalitetit dhe shumë individë të cilët kishin vuajtur një dënim pavarësisht se ishin rehabilituar dëshmia e penalititetit iu jepej me shënimin “i rehabilituar”, poshtë shënimit që “dënuar me vendim”.Mund të kishte vendime dënimi edhe të para 50 viteve , pra në regjimin totalitar. Vetë fakti që dëshmia e penalitetit iu jepej me këtë shënimin “rehabilituar” në vetvete krijonte pasoja.
Anila Hoxha: Pasoja të natyrës së përndjekjes, asaj që kanë bërë dikur dhe për të cilën e kanë vuajtur një dënim penal, tek e fundit.
Bezart Kaçkini: Kjo dëshmia e penalititetit me shënimin “rehabilituar” edhe poshtë gjithë këto fjalitë e para 40 viteve tregon në fakt që ti ke patur probleme. Ndërkohë që qëllimi është krejt i kundërt që ky individ që është rehabilituar, dëshmia e penalitetit duhej të jepej me shënimin “i padënuar” .
Anila Hoxha: Dhe sot vazhdon e njëjta praktikë?
Bezart Kaçkini:Jo , kjo praktikë është hequr vetëm si rezultat i praktikës të konsoliduar të Gjykatës Administrative, të cilat u përballën me një fenomen, një fluks goxha i madh mund të ketë patur edhe mbi 100 çështje në vit. Çdo vit qindra cështje. Dhe fatmirësisht, praktika gjyqësore se jo gjithmonë, gjyqtarët janë të një mendje. Praktika gjyqësore ishte e konsoliduar dhe me vendimin e KolegjitAdministrativ të Gjykatës së Lartë reflektoi edhe administrata. Si të rralla raste në fakt. Edhe sot administrata e burgjeve nuk e ndjek këtë praktikë.
Anila Hoxha: Nuk e citon këtë fakt?
Bezart Kaçkini:Jo, një individ që është rehabilituar dëshmia e penalititetit i del me shënimin “i padënuar”, por ama duhet të ndajmë kush është kërkuesi, se në rast se individi kërkon të pajiset me dëshmi penaliteti ai e përfiton dëshminë e penalitetit me shënimin “i padënuar”. Kurse në eventualitetin që në dëshminë e penalitetit psh. e kërkon për qëllime të sigurisë kombëtare si janë një sër institucionesh DSIK, organet e vetingut, Buroja Kombëtare e Hetimit etj.,për natyra të veçanta çështjesh atyre iu shkon dëshmia e penalitetit me këto shënime.
Anila Hoxha: Pra, nuk fshihet asnjëherë ajo ?
Bezart Kaçkini:Por jo,për ta penalizuar qytetarin në asnjë aspekt.
Anila Hoxha: Kemi patur një periudhë kohe kur zyrtarë, funksionarë të lartë përfunduan në Gjykatën Administrative për shkak të ligjit. Cili ishte ngërçi më i madh dhe cila ishte çështja që i bashkonte dhe që kishte të njëjtën tipologji në Gjykatën Administrative sa i përket ligjit të dekriminalizimit?
Bezart Kaçkini:”Ligji për dekriminalizimin” është një ligj si ai kostumi që qepet me porosi.Pra, është një ligj i jashtëzakonshëm për një situatë të jashtëzakonshme. Dhe situatave të jashtëzakonshme shpeshherë nuk mund t’i bëhet gjyqi themi ne.
Anila Hoxha: Shërbeu në një moment të caktuar?
Bezart Kaçkini:Në një moment të caktuar , në atë situatë të caktuar që impononte, po merren masa të jashtëzakonshme, shpeshherë që çojnë edhe në kufizime që në një moment të dytë mund të thuash si i kanë toleruar institucionet kushtetuese etj.Pra, jo çdo dënim e penalizon mjafton që ai ta vetëdeklarojë. Sot ke zyrtarë të zgjedhur kryesisht apo edhe në administratë publike. Nuk kam një statistikë por ka goxha, ka raste që janë bërë edhe publike ka plot raste të pabëra publike që kanë rekorde jo 1, por mund të ketë edhe mbi 1 dënim penal të formës së prerë.
Anila Hoxha: I kanë deklaruar?
Bezart Kaçkini:I kanë deklaruar. Pra qëllimi i ligjvënësit nuk ka qenë përjashtimi automatikisht , ka qenë pra tek ky shënimi.
Anila Hoxha: Transparencë për të ditur “kush është kush”?
Bezart Kaçkini: “Kush është kush” dhe populli le të themi apo votuesi për rastin e të zgjedhurve të ketë informacion.
Anila Hoxha: Për çfarë vijnë shtetasit që janë prekur nga ligji i dekriminalizimit në Gjykatën Administrative?
Bezart Kaçkini:Në Gjykatë Administrative, numri më i madh i çështjeve ka qenë në fakt me nëpunësit publik, ka patur edhe të zgjedhur deputetë apo kryetarë bashkie. Deputetë psh. kanë ardhur me kërkesën për të shfuqizuar aktet administrative që iu ndërpresnin mandatin apo me kërkesat që t’ju lejohet në të ardhmen e drejta për t’ju nënshtruar garës në zgjedhje. Kurse nëpunësit civil dihet vijnë për të përfituar nga e drejta që të mbajnë familjen me një punë të ndershme dhe të mos humbasin vendin e punës.
Anila Hoxha: Ka patur nga ata që kanë fituar nga pjesa e të zgjedhurve që iu është ndërprerë mandati ?
Bezart Kaçkini:Në dijeninë time jo.
Anila Hoxha: Po nëpunës?
Bezart Kaçkini:Nëpunës ka.