Një sistem i fuqishëm vranësirash do të vendoset në territorin shqiptar duke sjellë rrebeshe shiu në pjesën më të madhe të vendit.

Më problematike situata do të paraqitet në zonat veriore dhe veriperëndimore ku intensiteti i tyre do të jetë i lartë; kryesisht në qytetet; Pukë, Dibër, Shkodër dhe Lezhë duke sjellë përmbytje lokale në këto zona.

Herë pas here priten edhe stuhi të forta ere. Kjo situatë atmosferike do të vijojë deri vonë në mbrëmje kur pritet përmirësim gradual i kushteve të motit.

Temperaturat e ajrit do të pësojnë rënie të ndjeshme në të dy vlerat ekstremale ditore duke u luhatur nga 10°C vlera më e ulët deri në 26°C vlera më e lartë në rang vendi; e cila do të shënohet në qytetin e Elbasanit.

Era do të fryjë mesatare në tokë dhe deri e fortë në det me shpejtësi mbi 75 km/h nga drejtimi veriperëndimor duke krijuar në brigjet detare dallgëzim 5 apo 6 ballë.