Një ndërtesë me apartamente banimi u godit në qendër të qytetit të Bejrutit gjatë natës, në atë që duket se është sulmi i parë ajror izraelit në kryeqytet përtej bazës së Hazbollahut në periferitë jugore.
“Fronti Popullor për Çlirimin e Palestinës” thotë se tre nga udhëheqësit e tij u vranë në sulm, ndërkohë që Izraeli ende nuk ka komentuar në lidhje me këto akuza.
Ushtria izraelite raporton se ka kryer sulme ajrore në rajonin Bekaa, në Libanin lindor, gjatë natës. Sipas tyre, sulmet kishin në shënjestër dhjetëra raketahedhës dhe ndërtesa të përdorura nga Hezbollahu për të ruajtur armët.
Kjo vjen një ditë pasi Izraeli kreu sulme ajrore në shkallë të gjerë në Jemen, duke synuar ato që ai i quan objektiva ushtarake të regjimit terrorist Houthi.
Izraeli ka vazhduar gjithashtu sulmet në Libanin jugor gjatë natës, disa ditë pasi vrau liderin e Hezbollahut në një sulm në Dahieh. Zyrtarët libanezë kanë deklaruar se si pasojë e sulmeve janë vrarë 105 persona të dielën.
Ka shenja në rritje se një pushtim tokësor izraelit në Libanin jugor mund të jetë i pashmangshëm, gjë që ndoshta do të përkeqësojë një situatë që tani është kritike.
Në të gjithë vendin, spitalet po luftojnë për të përballuar numrin e madh të viktimave nga sulmet ajrore izraelite dhe strehimoret janë nën presion mes një numri në rritje të banorëve të zhvendosur.
Kryeministri i Libanit Najib Mikati, tha se rreth 1 milion njerëz mund të kenë ikur tashmë nga shtëpitë e tyre, duke e quajtur atë zhvendosjen më të madhe në historinë e vendit.