Ish-kryeministri i Holandës, Mark Rutte, më 1 tetor merr udhëheqjen e Organizatës së Traktatit të Atlantikut Verior (NATO).
Ai merr postin e shefit të NATO-s me detyrën që ta mbajë bashkë aleancën, teksa lufta në Ukrainë është në një moment kritik dhe zgjedhjet e rëndësishme presidenciale amerikane po afrohen.
Në ceremoninë që do të mbahet në selinë e NATO-s në Bruksel, Rutte do të marrë detyrën e sekretarit të Përgjithshëm, që deri më tani është mbajtur nga norvegjezi Jens Stoltenberg. Stoltenberg ka qenë në krye të aleancës gjatë një dekade turbulente, që mbi të gjitha është shënuar me pushtimin e Ukrainës të nisur nga Rusia më 2022.
Zyrtarët e NATO-s dhe diplomatët presin që Rutte të vazhdojë prioritetet e Stoltenbergut për aleancën që përbëhet nga 32 anëtarë: të vazhdojë mbështetjen për Ukrainën, të shtyjë shtetet anëtare që të shpenzojnë më shumë në mbrojtje dhe të mbajë Shtetet e Bashkuara të angazhuara në sigurinë evropiane.
Por, ka pasiguri edhe sa i përket luftës në Ukrainë dhe të mbështetjes në të ardhmen të SHBA-së për NATO-n dhe Kievin, pasi Donald Trump – skeptik i NATO-s – është në garë të ngushtë zgjedhore me nënpresidenten amerikane, Kamala Harris./Rel