Jens Stoltenberg u largua pas 10 vitesh si Sekretar i Përgjithshëm i NATO-s këtë të martë dhe në vend të tij pason ish-kryeministri holandez Mark Rutte.
Në ceremoninë që u mbajt në selinë e NATO-s në Bruksel, Rutte mori zyrtarisht detyrën e sekretarit të Përgjithshëm, që deri më tani është mbajtur nga norvegjezi.
Stoltenberg ka qenë në krye të aleancës gjatë një dekade të vështirë, që mbi të gjitha është shënuar me pushtimin e Ukrainës të nisur nga Rusia më 2022.
Zyrtarët e NATO-s dhe diplomatët presin që Rutte të vazhdojë prioritetet e Stoltenbergut për aleancën që përbëhet nga 32 anëtarë: të vazhdojë mbështetjen për Ukrainën, të shtyjë shtetet anëtare që të shpenzojnë më shumë në mbrojtje dhe të mbajë Shtetet e Bashkuara të angazhuara në sigurinë evropiane.