Guardia di Finanza në Vicenza, Itali ka zhvilluar një operacion antidrogë gjatë orëve të fundit, nga i cili është zbuluar një shtëpi bari në rrethinat e Monde di Malo dhe si autor ka përfunduar në pranga një i ri shqiptar.

Bëhet fjalë për një ndërtesë tre katëshe të kthyer në një laborator për kultivimin, tharjen dhe paketimin e marijuanës. Hetimet nisën pas disa informacioneve të marra në rrugë operative nga njësia e lëvizshme e policisë ekonomike-financiare në Vicenza.

Vëmendja u përqendrua tek një shqiptar 28-vjecar, i vënë re nga disa qytetarë të alarmuar nga vajtja e tij e vazhdueshme në shtëpinë e braktisur në fermë. Falë shërbimeve të vëzhgimit oficerët e GDF konfirmuan praninë e të dyshuarit, i cili shkonte rregullisht në fermë me një furgon, edhe gjatë orëve të natës. Në një rast, ai u pa duke shkarkuar thasë me pleh bimësh.

Pas këtyre dyshimeve, ushtarakët vendosën të vijojnë kontrollin, duke zbuluar dhe fermën e marijuanës. Brenda, hetuesit e Fiamme Gialle u gjendën përballë tre kateve të tëra të përdorura për kultivimin dhe prodhimin e marijuanës. Nga autorët ishin bërë modifikime të veçanta të mureve për t’i bërë hapësirat të përshtatshme për kultivimin, tharjen dhe paketimin e lëndës narkotike, gjithashtu nëpërmjet instalimit të një sistemi mbresëlënës ventilimi, lagështimi, ujitjeje dhe ndriçimi.

I gjithë sistemi u zbulua se ushqehej nga panele të shumta rudimentare elektrike dhe instalime elektrike pa asnjë masë sigurie, duke theksuar rrezikshmërinë e kushteve të punës brenda laboratorit. Ky skenar zbuloi jo vetëm paligjshmërinë e operacioneve, por edhe rrezikun e mundshëm për sigurinë publike.

Në përfundim të operacionit u sekuestruan 103 bimë marijuanë në vazo, me peshë mbi 60 kg, gati 30 kg marijuanë e tharë dhe 94 fidanë, duke e çuar peshën totale të lëndës narkotike në rreth 90 kg. Gjithashtu u sekuestruan dy telefona inteligjentë të përdorur nga i dyshuari, të cilët supozohet se ishin përdorur për të koordinuar operacionet e paligjshme.

Shtëpia, e cila u konstatua se ishte pronë e shtetasit shqiptar, iu nënshtrua sekuestrimit. 28 vjeçari shqiptar, i konstatuar si i paligjshëm në territorin e shtetit italian, u arrestua dhe u vendos në San Pio.