Në Tiranë pritet që të hapet një zyrë e DEA-s, e cila do të punojë më së tepërmi në drejtim të luftimit të trafikut të drograve të forta.
Ish-prokurori Eugen Beci, i ftuar në një program televiziv tha se kjo tregon se edhe vendi ynë është kthyer në një problem për trafikun e drogës, kryesisht të kokainës. Ai tha se shteti shqiptar nuk e kontrollon dot këtë trafik kokaine, ndaj dhe do të vihet në punë DEA amerikane.
Eugen Beci: Trafiku i drogës në Shqipëri ka detyruar DEA-n që të hapë zyrë. Shqipëria është kthyer në problem edhe për DEA-n. Kjo mund të quhet edhe një dështim i shtetit shqiptar në luftën ndaj kokainës. DEA ndërhyn vetëm kur kemi të bëjmë me trafik kokaine dhe për pastrimin e parave.
Nëse DEA më parë ka pasur zyrë në Athinë, tani do kemi dhe këtu. Trafiku i kokainës ka në vendin tonë qendrën e organizimit të ‘ushtarëve’ të organizatave kriminale, ka qendër të organizimit të pastrimit të veprave penale. Organizatat kriminale shqiptare po mbysin Europën me drogë.