Një sasi rekord kokaine është sekuestruar nga policia italiane në Milano dhe në periferi të saj, në komunën Agrati. 

Bëhet fjalë për 202 kg kokainë, që u sekuestrua në dy raste. 

Pjesa e parë e drogës, 142 kg kokainë u gjet e fshehur brenda 4 makinave të parkuara në parkingun e varrezave në Agrati. Dy shqiptarë, të moshave 44 vjeç dhe 37 vjeç, u arrestuan gjatë aksionit policor. 

Njëri prej tyre kishte marrë me qira një garazh dhe një apartament në zonë. Lënda narkotike ishte fshehur në vende të posaçme brenda automjeteve. 

Në rastin e dytë u sekuestrua një sasi prej 60 kg kokainë në Milano në një makinë me targa angleze. Një shqiptar i tretë u arrestua gjithashtu. Të dy rastet kanë lidhje me njëra-tjetrën. Sipas mediave italiane, shqiptari i tretë që u kap në Milano e kishte marrë sasinë prej 60 kg kokainë nga automjetet e parkuara pranë varrezave. 

Sipas policisë italiane, vlera e kokainës së sekuestruar përllogaritet në rreth 15 milionë Euro. 

Një sërë kontrollesh u kryen në disa banesa dhe ambiente të marra me qira prej shqiptarëve në Milano dhe komunën Agrati. Brenda tyre u gjetën makineri për numërimin e parave, një çantë me 3000 kartmonedha false, 80 mijë Euro cash nga të cilat 18 mijë Euro janë false. 

Identiteti i shqiptarëve të arrestuar nuk është bërë i ditur.