Udhëheqësit e shtatë ekonomive më të mëdha perëndimore (G7) shprehën të mërkurën “shqetësim të thellë” për krizën në Lindjen e Mesme, por thanë se një zgjidhje diplomatike është ende e mundur dhe një konflikt në mbarë rajonin nuk është në interesin e askujt, thuhet në një deklaratë të tyre.

Italia ka kryesinë e radhës të grupit dhe kryeministrja Giorgia Meloni mbajti një takim virtual të udhëheqësve të G7-ës, një një ditë pasi Irani lëshoi një breshëri raketash balistike në Izrael, duke shtuar frikën e një lufte rajonale.

Në një deklaratë të qeverisë italiane thuhet se udhëheqësit dënuan sulmin e Teheranit dhe ranë dakord të “punojnë së bashku drejt uljes së tensioneve rajonale”. Deklarata i referohej zbatimit të rezolutës 2735 të OKB-së – që mbështet një plan me tre faza për një armëpushim në Gazë dhe lirimin e pengjeve të mbajtura nga Hamasi – dhe rezolutës 1701, e cila ndali luftën Izrael-Hezbollah të vitit 2006 në Libanin jugor.

“Duke shprehur shqetësim të thellë për përshkallëzimin e orëve të fundit, përsërisim se një konflikt në mbarë rajonin nuk është në interesin e askujt dhe se një zgjidhje diplomatike është ende e mundur”, shtoi ai.

Përveç Italisë, në G7 bëjnë pjesë Shtetet e Bashkuara, Kanadaja, Britania, Franca, Gjermania dhe Japonia. Presidenti amerikan Joe Biden iu bashkua thirrjes për të koordinuar një përgjigje, përfshirë sanksione të reja ndaj sulmit të Iranit, tha Shtëpia e Bardhë në një deklaratë. Më pas ai u tha gazetarëve, se nuk mbështet sulme në qendrat bërthamore të Iranit në përgjigje të sulmit kundër Izraelit.

“Do të diskutojmë me izraelitët se çfarë do të bëjnë, por të shtatë ne biem dakord se ata kanë të drejtën të kundërpërgjigjen, por në mënyrë proporcionale,” tha ai.

Zonja Meloni i ka kërkuar Këshillit të Sigurimit të OKB-së që të shqyrtojë forcimin e mandatit të forcës së saj paqeruajtëse UNIFIL në Liban “në mënyrë që të garantojë sigurinë e kufirit Izrael-Liban”.

Italia kontribuon me më shumë se 1000 ushtarë në këtë mision. Ministri i Jashtëm Antonio Tajani mohoi raportet e mediave italiane se qeveria po konsideronte tërheqjen e forcave të saj nga zona për arsye sigurie.

“Ne i kemi peshuar të gjitha mundësitë… Nuk ka asnjë vendim për tërheqjen e kontingjentit italian nga UNIFIL-i,” tha ai në një konferencë për shtyp. Por ai tha se do të ishte “marrëzi” që të mos kishte gati një plan evakuimi nëse situata përkeqësohej./ VOA