Presidenti i Shteteve të Bashkuara Joe Biden tha të mërkurën se ai nuk do të mbështeste asnjë sulm izraelit në objektet dhe qendrat bërthamore të Iranit, në përgjigje të sulmit të Teheranit dhe i bëri thirrje Izraelit të reagojë në mënyrë “proporcionale”. 

Presidenti Biden foli një ditë pasi Irani sulmoi me 180 raketa balistike Izraelin dhe kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu është zotuar se Irani do të paguajë për sulmin. 

“Ne do të diskutojmë me izraelitët se çfarë do të bëjnë, por vendet e G7-ës bien dakord se Izraeli ka të drejtë të përgjigjet, por duhet të përgjigjen proporcionalisht”, u tha Presidenti Biden gazetarëve. 

I pyetur nëse ai do të mbështeste Izraelin për të goditur objektet bërthamore iraniane siç ka kërcënuar prej kohësh, Presidenti Biden u tha gazetarëve se “përgjigja është jo”. 

Zoti Biden tha se duhet të vendosen sanksione të tjera ndaj Iranit dhe ai do të zhvillonte një bisedë me kryeministrin Netanyahu, së shpejti.