Superliga e volejbollit të femrave ka hapur dje javën e katërt me dy ndeshjet e para.

Sporti i rrjetës rikthehet në parket, pasi i dha lamtumirën trajnerit legjendar, Vangjel Koja, i ndarë nga jeta disa ditë më parë.

Takimi i parë ishte ai i zhvilluar në Shkodër mes Vllaznisë vendëse dhe Partizanit ku Partizani fitoi 0-3. Në sfidën tjetër të zhvilluar dje, Teuta bëri goditjen në transfertën e Pogradecin, duke i mposhtur liqenoret me rezultatin 1- 3.

Ky ishte suksesi i parë për vajzat e trajnerit Edmond Jazexhi, të cilat ngjiten nga vendi i fundit në katërtin. Teuta i dha dy “shuplaka” të menjëhershme pogradecareve, duke fituar setin e parë 16-25 dhe të dytin 22- 25.

Vendaset reaguan në setin e tretë, duke triumfuar 25-18, për të ngushtuar në 1-2. Seti i katërt ishte më i bukuri i ndeshjes, duke dhuruar rivalitet të lartë.

Durrsaket festuan pas pikëve shtesë në shifrat 24- 26, me të gjithë ndeshjen që u mbyll 1-3 në harkun kohor të 2 orëve e 19 minutave.

Romina Allamani me 16 pikë, kolumbiania Danny Toro me 14 pikë dhe braziliania Barbara Barbosa me 12 pikë udhëhoqën ofensivën bregdetare. Për liqenoret spikatën Edona Kalludra me 19 pikë lojtarja nga Barbadosi, Seale Shonte, me 17 pikë.