Një shqiptar është vrarë me armë zjarri në Itali. Viktima është Beni Arshiaj, 37 vjeç.

Ngjarja e rëndë ndodhi në Oratoio, një lagje e Pisa-s, ku i riu u qëllua nga dy persona që lëviznin me motor në një atentat që ndodhi pak metra larg gruas dhe fëmijëve të tij.

“Menduam se ishin fishekzjarre”, tha një dëshmitar pranë skenës së krimit.

Siç shkruajnë mediat, 37-vjeçari me profesion murator po zbriste nga furgoni kur dy autorët ndaluan dhe i drejtuan armën.

Policia italiane ka nisur hetimet dhe nuk përjashton as hipotezën e larjeve të hesapeve. Autoritetet kanë sekuestruar celularin e tij dhe pamjet e kamerave të sigurisë pranë vendit të ngjarjes.

Në skenën e krimit u gjetën pesë predha të kalibrit 22. Nga ato vetëm një plumb e ka prekur Arshiajn, plumb që nuk i la asnjë shans të mbijetonte pasi humbi jetën në vendin e ngjarjes.

Siç shkruajnë mediat italiane, ngjarja ka shokuar Pisa-n ku britmat e dëshpërimit të gruas ngritën “në këmbë” qytetin e vogël italian.