Sale Naser, bëri gjithçka në duelin kundër Tiranës. Që në minutën e 9-të bëri një lëvizje fantastike në zonën e Tiranës, duke i asistuar për Krujën, i cili hapi rrugën fitores së Teutës.naserSulmuesi i krahut shënoi dje golin e dytë sezonal në Superiore, por përpos kësaj ishte problemi kyç për mbrojtjen bardheblu, duke arritur të fitojë dhe dy penallti ku njërën e shënoi vetë. Sulmuesi egjiptian foli për ecurinë fantastike. Titullari i Teutës shpreson që të shënojë sërish, duke filluar nga ndeshja e radhës ndaj Egnatias, që shihet si një tjetër takim delikatë për Teutën, por shanset për tri janë maksimale.

Sale, sa e rëndësishme ishte kjo fitore për ju?

Normalisht që është një fitore shumë e rëndësishme, pasi Tirana është një skuadër e fortë dhe këtë e ka treguar dhe gjatë kësaj faze të parë, ndaj ishim të vetëdijshëm se na nevojitej përqendrimi për 90 minuta. Ishte një ndeshje e luftuar, por mendoj e dominuar ne. Fatmirësisht, arritëm që të shënonim në një pikë kyçe të pjesës së dytë dhe më pas na u bë e lehtë ndeshja.

Mendoni se tashmë Teuta është në rrugën e duhur për katër vendet e para?

Fitorja ndaj Tiranës normalisht që na ka dhënë një dorë në këtë drejtim. Mirëpo, duhet të jemi me këmbë në tokë, pasi kemi edhe shumë ndeshje përpara. Pra, na duhet të jemi të qetë dhe t’i marrim ndeshjet me radhë, pasi nuk duhet të bëjmë gabime.

Shënuat golin e dytë në 8 javë, duke arritur të shpalleni dhe lojtari i ndeshjes. I kënaqur me këtë vlerësim?

Deri diku jam i kënaqur, por mund të kisha bërë më mirë në disa mundësi që më janë dhënë. Gjithsesi, i rëndësishëm është rezultati i skuadrës dhe më pas aspekti personal. Unë shpresoj që në ndeshjet e ardhshme të shënoj sërish.

Mendoni se do ju shërbejë “pauza” e kampionatit?

Gjatë kësaj periudhe do të mundohemi që të bëjmë një përgatitje sa më të mirë, për të qenë në lartësinë e duhur për ndeshjen kundër Egnatias. Lojtarët janë të karikuar dhe të motivuar për fitore, çka është ajo që ne na intereson. Do të luajmë për 3 pikë në fushë, pasi është rezultati që na shkon më shumë përshtat.

Luani ndaj Egnatias, një tjetër ndeshje e vështirë për ju?

Për momentin po shijojmë këtë fitore ndaj Tiranës, më pas do të mendojmë për Egnatian.