Vjeshta vijon të tërheqë vizitorët me jahte në portin e Durrësit duke shënuar një periudhë të zgjatur të sezonit turistik.

Dy superjahte turistike janë ankoruar ditën e sotme në kalatat portuale. Rikthehet “Black Pearl” superjahti 106.7 m i gjatë me vela, i cili klasifikohet si më i madhi dhe një ndër më ekologjikët në botë. Një jaht me një dizajn revolucionar që karakterizohet nga tre direkë DynaRig, eko-kredenciale inovative dhe risi teknologjike, të cilat kanë vendosur një standard të ri në industristinë e ndërtimit të jahteve turistike.

Ky megajaht me vela që shkon përtej konvecionales përbëhet nga një superstrukturë alumini, ndërkohë që direkët përbëhen nga fibra karboni të cilat gjenerojnë energji kinetike në funksion të lundrimit.

Ndërkohë, në kalatën 4 të portit është akostuar sot edhe mega jahti “Variety Voyager”. Jahti luksoz 66m i gjatë dhe 11,5m i gjerë ka mbërritur mëngjesin e sotëm pas ndalesës në Kotorr (Mal i Zi). “Variety Voyager” ka në bord 54 vizitorë, të cilët pas turit në sitet turistike të Durrësit do të vijonë lundrimin në bregdetin e Vlorës. Ky jaht lundron nën flamurin e ishujve Marshall dhe ka një GT prej 1.593 tonë.