Detaje të reja janë zbardhur nga ngjarja e rëndë e ndodhur dje në Tetovë, ku nënë e bijë u gjetën të vdekura në banesën e tyre, teksa djali është në gjendje të rëndë.

Pas kryerjes së autopsisë, ka rezultuar se helmimi është shkaku i vdekjes së viktimave. Prokuroria bëri me dije se në bashkëpunim me Ministrinë e Punëve të Brendshme janë duke ndërmarrë veprime intensive për zbardhjen e ngjarjes, ku dje janë gjetur të vdekura nëna 36-vjeçare dhe vajza e saj 4 vjeçare.

Ndërkohë analiza i janë kryer dhe djalit të mitur që ndodhet në spital ku pritet të dalin rezultatet. Të njëjtat analiza po i bëhen dhe kryefamiljarit i cili është arrestuar, pasi fillimisht u dyshuar se ishte ai autor.

Njoftimi i Prokurorisë:

Të gjeturat fillestare nga autopsia e urdhëruar tregojnë për helmim si shkak të mundshëm të vdekjes, andaj nga e ndjera janë marrë mostra për analiza shtesë toksikologjike për të përcaktuar shkakun e helmimit. Tek të vdekurit nuk u konstatuan gjurmë dhune.

Analiza shtesë janë bërë edhe ndaj djalit 9 vjeç, për të parë nëse i njëjti ka pasur ndonjë helmim, e i cili vazhdon të gjendet në Qendrën Klinike në Shkup, ku po trajtohet pas traumës së përjetuar.

Gjithashtu, me urdhër të prokurorit publik do të merren mostra të gjakut dhe urinës nga anëtarët e tjerë të familjes – babait dhe djalit, për të kontrolluar praninë e mundshme të toksinave edhe në to. Po ndërmerren veprime të tjera për pastrimin e plotë të ngjarjes, thuhet në njoftimin e prokurorisë.

Gruaja 36-vjeçare dhe vajza e saj u gjetën mbrëmë pajetë në fshatin Sllatinë të Tetovës, një ngjarje që tronditi opinionin për shkak të misterit që rethonte shkaqet e vdekjes.