Policia Bashkiake e Durrësit, në bashkëpunim me Agjencinë Rajonale të Bregdetit (ARB), Agjencinë e Parqeve Urbane (APU) dhe Ndërmarrjen e Shërbimeve Komunale (NSHK), ka zhvilluar këtë të mërkurë një aksion për lirimin e hapësirave të plazhit publik në zonën e Gjirit të Lalzit.
Gjatë kontrolleve në terren u konstatuan çadra, shezlongë dhe pajisje të tjera plazhi të vendosura në kundërshtim me hartën e miratuar nga Ministria për administrimin e plazheve publike. Strukturat përgjegjëse ndërhynë menjëherë për heqjen e tyre, duke rikthyer hapësirat në shërbim të qytetarëve dhe pushuesve.
Policia Bashkiake u bën thirrje subjekteve dhe individëve të respektojnë legjislacionin në fuqi dhe të mos zënë në mënyrë të paligjshme hapësirat publike për qëllime private.
Sipas autoriteteve, kontrollet do të vijojnë edhe në ditët në vijim, ndërsa çdo shkelje do të trajtohet në përputhje me legjislacionin në fuqi, me synimin për të garantuar një bregdet të rregullt, të pastër dhe të aksesueshëm për të gjithë.





