Presidenti i SHBA Joe Biden i ka kërkuar Izraelit që të ndalojë të shtënat ndaj paqeruajtësve të OKB-së mes konfliktit të tij me Hezbollahun në Liban, pas dy incidenteve në 48 orë.

Të premten, Forcat e Mbrojtjes të Izraelit (IDF) thanë se trupat e saj ishin përgjegjëse për incidentin, ku u plagosën dy ushtarë nga Sri Lanka për Forcën e Përkohshme të OKB-së në Liban (Unifil).

Ushtarët e IDF që operojnë rreth bazës Unifil në Naqoura identifikuan një kërcënim dhe hapën zjarr, tha ushtria izraelite, duke shtuar se incidenti do të hetohej “në nivelet më të larta”.

Të enjten, dy ushtarë indonezianë të Unfilit u plagosën duke rënë nga një kullë vëzhgimi pasi një tank izraelit qëlloi drejt saj.

Udhëheqësit e Francës, Italisë dhe Spanjës lëshuan një deklaratë të përbashkët duke dënuar veprimet e Izraelit, duke thënë se ato ishin të pajustifikueshme dhe duhet të marrin fund menjëherë.

Ministria e Jashtme e Sri Lankës tha se “dënon fuqishëm” sulmin e IDF që plagosi dy ushtarë të saj.

Kreu i paqeruajtësve të OKB-së deklaroi se kishte arsye për të besuar se disa të shtëna në pozicionet e OKB-së në Libanin jugor kanë qenë të drejtpërdrejta.

“Për shembull, ne kemi një rast kur një kullë u godit dhe gjithashtu dëmtime të kamerave në një nga pozicionet – që padyshim për ne dukej shumë si zjarri i drejtpërdrejtë,” tha Jean-Pierre Lacroix për programin Newshour të BBC-së.

Ndërsa pushtimi i Izraelit në Libanin jugor vazhdon, IDF dhe grupi i armatosur libanez Hezbollah vazhduan të gjuanin raketa përgjatë kufirit Izrael-Liban.