NGA BUJAR QESJA
Një jetë e thjeshtë, por e mirndërtuar dhe e mirkopsitur në mënyrën më të mirë të mundshme.
Pres e përcjell shumë, shumë njerëz, miq, shokë, të moshave dhe zanateve të ndryshme. Vijnë nga jashtë dhe nga brenda tokës tonë. Nga shpirti i tyre zbresin mallin, çfaqin dashurinë dhe respektin për njëri tjetrin, aq më shumë në këtë kohë, që jemi shpërndarë anekënd dhe takohemi rrallë, shumë rrallë.
Misioni im bëhet aq jetik dhe i domosdoshëm, pasi krijoj, nxis klimë për ta mbajtur gjallë kopështin gjigand të miqësisë durrsake. Përzihen kujtime, mbresa, komente nga më të ndryshmet, kjo kur jemi dhe konsumojmë kafe, raki, apo pije të çfardoshme.
Malli durrsak! Duke u përzier me gjakun tonë, krijon esencën më magjike, më të domosdoshme, të asaj që na mban gjallë, të paplakur dhe që mbetet si betim apo amanet, që të ruajmë miqësinë tonë, nga më të bukurat, nga më origjinalet, nga më konkurueset dhe jam i sigurt që fiton mbi gjithçka.
E ndjej se puna ime e jashtëzakonshme, në ndihmë dhe thellim të miqësisë durrsake po jep frytet e saj. Duke shkruar pa u lodhur dhe duke prekur lidhje të kahershme miqësore, kjo shtëpiza ime e gjelbëruar, po vishet me rrobat më të bukura, më të hijshme, të qepura nga rrobaqepësi me emrin miqësia nga më të mirat e durrsakëve.
Vijnë e nga svijnë dhe ulen, qendrojnë, dhe shplodhen dhe ndërrojnë pak muhabet. E kjo më mirë se në këtë shtëpizën time, lyer me ngjyrat më tërheqëse të këtij që quhet shpirti im, ku mund të bëhet tjetër.
Po publikoj disa foto, ku kryesisht nuk jam unë, por miqtë që takohen këtu në këtë shtëpizë të durrsakëve. Sa mirë më vjen! Sa mirë dhe bukur po shpërblehet mundi dhe rezistenca, për t’i bërë jehonë dhe mbajtur gjallë miqësinë durrsake!
Kur takohemi, e ndjejmë dhe e kuptojmë se sa të domosdoshme janë këto komunikime, shijimi i këtij malli, pasi shpirti dhe gjaku nuk tjetërsohen, veçanërisht i brezit tim. Nëse ia përcjellim këtë edhe fëmijve tanë, do të ndjehemi rehat edhe kur të shkojmë e të strehohemi përjetësisht pranë paraardhësve tonë.
Tek shtëpiza ime, do të vazhdojmë të takohen durrsakët. Do të përpiqem që kjo të ndodhë sa të kem frymë. Është detyrim, është amanet dhe kjo vlen për çdo njërin.
Takohemi tek shtëpiza ime plot lëng jetësor! Të jeni të sigurtë, që porta e saj do të mbetet gjithnjë e hapur.
Sa mirë!
Bujar Qesja
Durrës: 12 tetor 2024
Pamja 1
Nga e djathta: Ramiz Dizdari dhe Ragip Suka.
Pamja 2
Nga e majta: Astrit Tahiri fhe Taqo Afezolli.
Pamja 3
Nga e djathta: Mond Hysi, Bajram Burgija, Besnik Biduli, Bujar Qesja dhe Stefan Rrufa.
Pamja 4
Nga e djathta: Zyhdi Mara ( 95 vjeç) dhe Besnik Biduli.
Pamja 5
Nga e majta: Petraq Ikonomi dhe Sabri Limanaj.
Pamja 6
Nga e djathta: Bajram Burgija dhe Ferid Kora.