Bashkimi Evropian dhe Organizata e Kombeve të Bashkuara (OKB) do të mbështesin Shqipërinë në sfidën e saj për mbrojtjen e mjedisit.
Ambasadori i BE-së, Silvio Gonzato si dhe Koordinatorja e Përhershme e OKB-së në Shqipëri, Fiona McCluney deklaruan se ndotja e ajrit është një shqetësim kritik që rrezikon mjedisin dhe shëndetin publik.
“Shqipëria përballet me sfida serioze të ndotjes së ajrit, por së bashku mund ta ndryshojmë këtë. Shëndeti i fëmijëve tanë dhe e ardhmja e komuniteteve tona varen nga veprimet që ne ndërmarrim tani. Është koha të kujdesemi për ajrin që thithim dhe të mbrojmë brezat e ardhshëm”, deklaruan ata.
Në një opinion të përbashkët BE-OKB, mbi ndryshimet klimatike dhe mbrojtjen e mjedisit, vihet në dukje se ndotja mjedisore është një realitet i zymtë që përkthehet në shtim të problemeve të frymëmarrjes, kostove të kujdesit shëndetësor dhe presioneve ndaj shërbimeve publike.
Në opinion theksohet se pavarësisht performancës relativisht më të mirë të Shqipërisë në krahasim me vendet fqinje, nuk ka vend për vetëkënaqësi.
“Shqipëria nuk është e vetme në përballjen e kësaj sfide dhe komuniteti ndërkombëtar është këtu për ta mbështetur vendin”, deklaruan ambasadori Gonzato dhe Koordinatorja e OKB-së.