Zv/presidentja Kamala Harris ka publikuar dosjen për shëndetin e saj duke arritur në përfundimin se ajo gëzon një shëndet të shkëlqyer e përshtatshme për presidencën e ardhshme.
Dr. Joshua Simmons, mjeku i Zv/presidentes Kamala Harris dhe njëkohësisht kolonel në ushtrinë amerikane, shkruan se 59-vjeçarja, ruan një stil aktiv të jetesës dhe se nga kontrolli i saj i rregullt mjekësor i bërë në muajin Prill, nuk rezultoi ndonjë gjë e pazakontë.
“Ajo ka formën e duhur fizike dhe mendore për të përmbushur me sukses detyrat e presidencës, përfshirë ato të drejtueses ekzekutive, kreut të shtetit dhe komandantes së përgjithshme”, thuhet në raport.
Në historikun mjekësor të familjes së saj ekziston rasti i kancerit të zorrës së trashë (nga nëna e saj). Sipas mjekut, Harris ndjek me përpikmëri rekomandimet duke përfshirë bërjen e kolonoskopisë dhe mamografisë çdo vit.
Ekipi elektoral i Harris pret ta shfrytëzojë këtë moment për të nxjerrë në pah kontrastin me kandidatin republikan Donald Trump, i cili ka publikuar ndër vite vetëm të dhëna të kufizuara për shëndetin e tij. Kamala e akuzoi ish-presidentin amerikan për mungesë transparence për mos publikimin e të dhënave të tij shëndetësore.
Zëvendëspresidentja tha gjithashtu se rivali i saj republikan “nuk dëshiron që populli amerikan të shohë nëse ai është apo jo i përshtatshëm për t’u bërë president”. Por ekipi i ish-presidentit u përgjigj duke cituar mjekun e tij të thoshte se ai ishte në “shëndet të përsosur dhe të shkëlqyer”.
Sondazhet kombëtare sugjerojnë se Harris dhe Trump kanë një diferencë shumë të ngushtë në disa shtete.