Një sulm ajror izraelit në oborrin e një spitali në Rripin e Gazës ka lënë të vrarë të paktën katër persona dhe ka nxitur një zjarr që ka përfshirë një kamp me tenda ku strehohen personat e zhvendosur nga lufta. Dhjetëra persona kanë pësuar djegie të rënda, sipas mjekëve palestinezë. 

Ushtria izraelite tha se ka shënjestruar militantët që fshihen në mesin e civilëve, por nuk ofroi asnjë dëshmi për këtë pretendim. Në muajt e fundit, Izraeli vazhdimisht ka sulmuar strehimoret dhe kampet me tenda, duke pretenduar se ato përdoren nga luftëtarët e Hamasit – grupit palestinez të shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian – për të nisur sulme ndaj Izraelit. 

Në spitalin Martirët e Al-Aksës, në qytetin Deir al-Bala veçse ka një numër të madh të të plagosurve, pasi më herët gjatë të hënës Izraeli sulmoi një shkollë, ku strehohen palestinezët e zhvendosur, duke vrarë të paktën 20 persona. Disa shpërthime janë dëgjuar pas sulmit izraelit, megjithatë ende është e paqartë nëse shpërthimet u shkaktuan nga armët apo nga shpërthimi i depozitave të karburanteve. 

Sipas të dhënave të spitalit, katër persona u vranë dhe 40 të tjerë u plagosën gjatë sulmit ajror izraelit në kampin me palestinezët e zhvendosur. Njëzet e pesë persona janë transferuar në spitalin Naser në jug të Gazës, pasi kanë pësuar djegie të rënda, tha spitali Martirët e Al-Aksës. 

Izraeli po vazhdon të kryejë përditë sulme në mbarë Rripin e Gazës, teksa lufta ka nisur mbi një vit më parë. 

Lufta nisi pasi Hamasi sulmoi jugun e Izraelit më 7 tetor 2023, duke vrarë afër 1.200 persona – shumica civilë – dhe duke rrëmbyer afër 250 të tjerë. Edhe afër 100 persona ende mbahen brenda Gazës, teksa një e treta e tyre besohet se kanë vdekur. 

Si pasojë e ofensivës hakmarrëse të Izraelit, në Gazë janë vrarë më shumë se 42.000 palestinezë, sipas Ministrisë së Shëndetësisë në Gazë. Sipas kësaj ministrie, mbi gjysma e viktimave ishin gra dhe fëmijë. 

Rreth 90 për qind e popullsisë së Gazës prej 2.3 milionë banorësh janë zhvendosur si pasojë e luftës, shpesh disa herë./REL